Operacion i madh policor në Cyrih: Kallashnikov, 60 mijë franga dhe mbi 12 kilogramë drogë – dy gjermanë në pranga!

Një operacion i Policisë Kantonale të Cyrihut ka përfunduar me sekuestrimin e një sasie të madhe droge, rreth 60 mijë frangave zvicerane dhe disa armëve të zjarrit. Në këtë rast janë arrestuar dy shtetas gjermanë, të moshës 34 dhe 44 vjeç.

Ngjarja nisi të shtunën në mbrëmje, gjatë një kontrolli rutinë të një automjeti në Cyrih-Leimbach, ku policia zbuloi një sasi të konsiderueshme kokaine te një shofer 34-vjeçar gjerman. Ai u arrestua menjëherë.

Hetimet vazhduan me një kontroll në banesën e tij në Dübendorf, ku policia bëri zbulime edhe më të mëdha. Aty u sekuestruan gati nëntë kilogramë kokainë, pak më shumë se dy kilogramë hashash, pothuajse një kilogram substancë narkotike 2C-B, si dhe sasi më të vogla të drogave të tjera.

Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën gjithashtu rreth 60 mijë franga zvicerane në para të gatshme, një pushkë automatike të tipit kallashnikov me municion luftarak, një pistoletë me fishekë bosh dhe një pistoletë me ajër.

Në banesë ndodhej edhe bashkëbanuesi 44-vjeçar i të dyshuarit, po ashtu shtetas gjerman, i cili u arrestua gjithashtu.

Të dy personat iu dorëzuan Prokurorisë Kantonale të Cyrihut nën dyshimin për trafik droge. Prokuroria ka kërkuar nga gjykata kompetente caktimin e masës së paraburgimit.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë në vazhdim.

Skandal në Bruksel: Kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo” interpretohet në aktivitetin e BE-së, ambasadori Bajrami kërkon sqarime