Një fluturim i Chair Airlines nga Cyrihu drejt Prishtinës është vonuar për disa orë, duke shkaktuar pritje të gjatë për pasagjerët në Aeroportin e Cyrihut, raporton albinfo.ch.
Chair Airlines sqaroi se avioni i planifikuar nuk mund të përdorej për shkak të një defekti teknik. Kompania tha se për këtë arsye u përpoq të siguronte një avion zëvendësues, çka shkaktoi pritjen e gjatë.
«Një defekt teknik ka penguar përdorimin e avionit të parashikuar për një fluturim të kompanisë Chair, duke shkaktuar një pritje të gjatë për pasagjerët.», thuhet në njoftimin e Chair.
Chair sqaron se po përgatit një avion zëvendësues. Sipas kompanisë, pasagjerët janë njoftuar për vonesën dhe kanë marrë kuponë për ushqim dhe pije në aeroport.
Kompania u ka kërkuar ndjesë udhëtarëve për shqetësimin e shkaktuar, duke theksuar se siguria ka përparësi kur një avion nuk mund të përdoret për shkak të një defekti teknik.



