18-muajshi arratiset nga çerdhja, ecën 50 metra i vetëm dhe shkon te nëna

Një fëmijë 18-muajsh ka dalë i vetëm nga çerdhja në Brazil dhe ka përshkuar rreth 50 metra, për të mbërritur te vendi i punës së nënës së tijNgjarja ka ndodhur në Braço do Norte, ku kamerat e sigurisë kanë filmuar vogëlushin duke ecur i vetëm në rrugë. Në një moment, ai tenton të ngjitet në trotuar, por rrëzohet. Megjithatë, ngrihet sërish dhe vazhdon rrugën, shkruan Daily Star.

Fëmija ka arritur deri te ndërtesa ku punonte nëna e tij dhe ka trokitur në derën prej xhami. Një recepsioniste e ka vërejtur dhe, pasi ka kuptuar se vogëlushi ishte i vetëm, e ka marrë menjëherë brenda dhe e ka bashkuar me nënën e tij.

Nëna kishte lënë fëmijën në çerdhe rreth orës 07:20, ndërsa sipas saj, ai kishte arritur të largohej pak pas orës 08:45.

Në atë kohë, çerdhja po i nënshtrohej punimeve dhe porta e saj ishte e dëmtuar.

Pas incidentit, fëmija është transferuar në një çerdhe tjetër. Policia dhe autoritetet lokale të arsimit kanë nisur hetime për të zbardhur se si 18-muajshi arriti të largohej i pashoqëruar dhe nëse do të ketë përgjegjësi ligjore për rastin.