Mbrëmë, Londra mblodhi së bashku një numër të madh biznesesh dhe profesionistësh nga Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova, në kuadër të eventit “Digital Bridge: UK & Kosovo – Cooperation in Tech”, një platformë e rëndësishme për të diskutuar mundësitë e bashkëpunimit dhe krijimin e urave të reja ndërmjet dy vendeve në sektorin e teknologjisë.
Në fjalën hyrëse, zëvendësambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Vlorat Gashi, foli për potencialin e madh që ekziston për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në këtë sektor. Ai veçoi mundësitë që ofron Kosova, veçanërisht përmes kapitalit të saj të ri njerëzor, zhvillimit të sektorit të teknologjisë dhe potencialit për partneritete të reja me bizneset britanike.
Edhe kryetari i Odës Ekonomike Britaniko-Kosovare, z. Artan Llabjani, si dhe znj. Vjollca Çavolli nga STIKK , folën për rëndësinë e forcimit të lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dy vendeve, krijimin e partneriteteve konkrete dhe shfrytëzimin e potencialit që teknologjia dhe transformimi digjital ofrojnë për zhvillim të përbashkët.
Takime të tilla janë një mundësi e vlefshme për të sjellë më pranë bizneset, profesionistët dhe idetë nga Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar, duke e shndërruar dialogun në bashkëpunime dhe mundësi konkrete.
Kosova dhe Mbretëria e Bashkuar kanë shumë për t’i ofruar njëra-tjetrës dhe teknologjia mund të jetë një nga urat më të fuqishme të këtij bashkëpunimi.



