Shqiptarët “TURISTË NAFTE” në Maqedoni.Kursejnë 80 lek për litër!

Diferenca drastike e çmimeve të karburanteve ka krijuar një fenomen të ri në pikat kufitare të Shqipërisë, ku qindra qytetarë po udhëtojnë çdo ditë drejt Maqedonisë së Veriut për t’u furnizuar me naftë dhe benzinë.

Ky fluks masiv është konfirmuar tashmë zyrtarisht edhe nga kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, i cili bëri të ditur se konsumi i karburanteve në vendin e tij ka arritur shifra rekord, duke kaluar pragun e 2 milionë litrave në ditë.

Sipas kreut të qeverisë maqedonase, presioni më i madh vërehet pikërisht në zonat kufitare, ku qytetarët nga vendet fqinje, kryesisht Shqipëria dhe Greqia, shfrytëzojnë çmimet dukshëm më të ulëta për të mbushur depozitat e tyre.

Të dhënat statistikore pasqyrojnë një realitet tronditës për ekonominë shqiptare, pasi konsumi ditor i naftës në Maqedoninë e Veriut është rritur me mbi 40 për qind krahasuar me periudhën para krizës.

Kjo rritje i atribuohet pothuajse tërësisht “turistëve të naftës”, ku llogaritet se shqiptarët dhe grekët blejnë mesatarisht deri në 300 mijë litra karburant brenda një dite të vetme në territorin maqedonas. Ndërsa në Shqipëri çmimi i naftës ka kapërcyer kufirin e 2.1 eurove, në shtetin fqinj ai luhatet rreth 1.3 euro, duke krijuar një diferencë prej afro 80 centësh ose rreth 80 lekësh të reja për çdo litër të blerë.

Kjo situatë ka ardhur si pasojë e politikave agresive të qeverisë maqedonase për të mbajtur nën kontroll kostot e jetesës, ndërkohë që pasiviteti i autoriteteve në Tiranë ka bërë që qytetarët të kërkojnë shpëtim jashtë kufijve.

Për kryeministrin Mickoski, ky fluks nuk përbën shqetësim, pasi ai ka garantuar se rezervat janë të qëndrueshme dhe nuk ka asnjë plan për të kufizuar shitjet për të huajt. Ndërkohë që Maqedonia e Veriut po përfiton të ardhura të jashtëzakonshme nga ky qarkullim monetar, ekonomia shqiptare po vuan një hemorragji të konsumit dhe të ardhurave tatimore, duke i lënë pikat e karburantit në vend në një pritje të vështirë për konsumatorët që po ikin çdo ditë e më shumë drejt fqinjëve.

By admin7