Tragjedi në Kroaci: përmbyset autobusi në autostradën A3, dy persona humbin jetën

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mëngjesin e sotëm Kroacinë. Një autobus me targa serbe është përmbysur në autostradën A3, në drejtim të Zagrebit, duke shkaktuar dy viktima dhe disa persona të plagosur.

Aksidenti ndodhi rreth orës 07:25, në kilometrin e 61-të të autostradës, pak pas nyjës së Ivanić Gradit.

Sipas Policisë së Zagrebit, si pasojë e përmbysjes së autobusit, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa disa të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë transportuar për trajtim mjekësor në spitalet e zonës së Zagrebit.

Sipas informacioneve jozyrtare të publikuara nga mediat kroate, në autobus ndodheshin 33 pasagjerë dhe dy shoferë.

Në vendngjarje kanë mbërritur ekipet e emergjencës, përfshirë policinë, ambulancat, zjarrfikësit dhe një helikopter. Në operacionin e shpëtimit janë angazhuar shtatë automjete dhe 15 zjarrfikës nga disa njësi.

Dëshmitarët e ngjarjes kanë përshkruar skena të rënda, duke raportuar se disa persona ndodheshin të shtrirë në bar pranë autobusit të përmbysur, ndërsa të lënduarit po merrnin ndihmën e parë.

Ndërkohë, sipas Klubit Kroat të Automjeteve (HAK), qarkullimi në këtë segment të autostradës është kufizuar në një korsi, me kufizim shpejtësie prej 60 km/h.

Rrethanat dhe shkaqet e aksidentit mbeten ende të paqarta. Hetimet nga autoritetet kroate janë duke vazhduar.

FaktiDitor.info