Më 17 nëntor shpallet aktgjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, për rastin e administrimit të drejtësisë

Të martën e 17 nëntorit, me fillim nga ora 10:00, do të mbahet seanca e shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, në gjykimin për administrim të drejtësisë.

Në këtë proces përfshihet edhe ish-shefi i AKI-së, Bashkim Smakaj, ish-kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe ish-ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, raporton IndeksOnline.

Në aktakuzën e konfirmuar më 29 nëntor të 2024-tës, Thaçi dhe të tjerët akuzohen për vepra penale që lidhen me pretendime për përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët.

Smakaj, Fazliu dhe Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor në Kosovë, për t’u transferuar në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 6 dhjetor.

Ndërkohë, prokurori i rastit ka kërkuar që ish-presidentit Thaçi të mos i llogaritet koha e kaluar në paraburgim në dënimin që mund t’i shqiptohet në këtë rast.

Zyra e Prokurorit të Specializuar po ashtu ka kërkuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 6 vjetësh për ish-presidentin.

Kujtojmë se më 16 shtator të këtij viti, Thaçi u dënua me 25 vjet burg, në rastin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së./IndeksOnline/