Babai i Endrit Azemit: Më mirë me pasë vdekë – 2-3 javë s’u sillë kah shpia, na mashtroi edhe neve

Xhemajl Azemi, babai i Endrit Azemit që mashtroi se vuante nga leukemia duke mbledhur mbi 189 mijë euro për kinse shërimin e tij, tha se ai i ka mashtruar edhe familjarët.

“Më mirë me pasë vdekë, se qeta që e ka bo”, tha ai për Tëvë1.

Babai i 20-vjeçarit nga Gjilani që u arrestua mbrëmjen e së shtunës tha se krejt paratë do të kthehen, ndërsa foli për veprimet që tha se i bëri djali i tij.

“Para 27-28 e kam pa. E kam pa që kish qenë shumë i dobët, i verdhë krejt. Thashë ‘çka ke?’. Tha ‘s’jam tu mujtë’ [..] Me t’31-shin kam ardhë në shtëpi, çika tha ‘u nis për Turqi’. Çka ka? Tha ‘qet sëmundjen’. Edhe ka shku në Turqi. Sa ka ndejtë në Turqi s’e di. Prej Turqisë ishin kthy kishin ndejtë në Shkup”, tha ai.

“Qysh e di krejt shqiptaria, edhe ne të familjes e dimë”, tha babai i Endrit Azemit.

Xhemajl Azemi i falënderoi ata që dhanë para dhe u kërkoi falje.

“I falënderoj të gjithë shqiptarët dhe u kërkoj falje në emër tim. Njëjtë si ata që janë të mashtruar, jemi edhe ne familja”, tha ai.

Babai i Endritit tha se djali i tij “2-3 javë s’u sillë kah shpia”.

Endrit Azemi dyshohet se nga data 9 nëntori “kishte sajuar një ngjarje të pa qenë”, sipas Prokurororisë Themelore të Gjilanit, duke mbledhur mbi 189 mijë euro për, kinse, shërimin e tij nga leukemia.

Prokuroria tha se kishte verifikuar se ai nuk vuante nga leukemia, siç pretendonte, dhe se ka bllokuar shumën e parave të grumbulluara në të gjitha llogaritë bankare të, të mbledhura për të.

Gjykata Themelore e Gjilanit ia caktoi atij sot një muaj paraburgim.