Zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të mbahen në prill të vitit 2028, ndërsa mandati im si kryeministër përfundon pas pak më shumë se një viti. Qëllimi i fushatës së VMRO-DPMNE-së është të dëgjojmë nga qytetarët se çfarë mungon dhe të përmirësohemi, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve nëse fushata e paralajmëruar e partisë së tij është përgatitje për zgjedhje të parakohshme.
“Nuk mund ta komentoj opozitën në çdo deklaratë, qëndrimet e tyre ua lë atyre. Por është mirë që si parti politike të dalim para qytetarëve dhe të dëgjojmë se çfarë mungon, në mënyrë që gjatë kësaj periudhe të përmirësojmë politikat tona dhe një pjesë të propozimeve t’i përfshijmë në programin për zgjedhjet e ardhshme, të cilat do të mbahen në prill të vitit 2028”, tha Mickoski.
Ai theksoi se në fund të dhjetorit 2027 pritet të zgjidhet qeveria teknike, ndërsa mandati i tij si kryeministër zgjat edhe pak më shumë se një vit e një muaj.
“Është logjike që edhe unë si kryeministër, edhe Qeveria, duam të dëgjojmë se ku jemi më pak të suksesshëm, në mënyrë që të jemi më të suksesshëm në këtë periudhë, nëse është e mundur, ose në mandatin e ardhshëm. Ky është qëllimi i këtij aktiviteti në terren, përmes takimeve të drejtpërdrejta me qytetarët”, deklaroi Mickoski.


