Agjencia për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural publikoi njoftimin paraprak për thirrjen publike të dhjetorit 01/2026 nga IPARD III, e cila përfshin tre masa për bashkëfinancimin e investimeve në ekonomitë bujqësore, kapacitetet përpunuese dhe bizneset rurale.
Afati për paraqitjen e aplikimeve do të jetë së paku 45 ditë nga publikimi i thirrjes. Para hapjes së saj, Agjencia për mbështetje financiare të bujqësisë dhe zhvillimit rural do t’i publikojë udhëzimet e përditësuara dhe dokumentacionin e nevojshëm në faqen e saj të internetit. Këshilla falas për përgatitjen e aplikmeve mund të merren në qendrat rajonale të Agjencisë për nxitjen e zhvillimit të Bujqësisë.
Siç informon Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave (MBPEU), institucionet kompetente kanë kryer kontrolle dhe kanë vepruar sipas të gjitha rekomandimeve të Komisionit Evropian. Gjithashtu, ka filluar zbatimi intensiv i Planit të Veprimit për forcimin e sistemeve të menaxhimit dhe kontrollit të strukturës IPARD, me të cilin, ndër të tjera, parashihet ndjekja digjitale e projekteve nga miratimi deri në pagesë, duke përfshirë edhe kontrollet në terren, si dhe paralajmërimin e hershëm në rast të identifikimit të rrezikut për vonesa në pagesa.
“E kemi rikthyer besimin në IPARD dhe vazhdojmë t’i përmbushim detyrimet që kemi marrë përsipër para Komisionit Evropian. Në kuadër të zbatimit të Planit të veprimit, po e forcojmë Trupin për menaxhimin e programit dhe kemi përcaktuar ndarje të sakta të kompetencave, me qëllim të qartësimit institucional se kush është përgjegjës për marrjen e çdo vendimi dhe kush do ta kontrollojë atë. Kemi arritur t’i identifikojmë dhe t’i tejkalojmë shkaqet që paraqesin faktorë rreziku për shfaqjen e dobësive në procesin e zbatimit të IPARD-it, përkatësisht kemi forcuar standardet evropiane në sistem”, thekson ministri i MBPEU-së, Borçe Serafimovski.
Masa 1 mbështet investimet në ekonomitë bujqësore për prodhim më produktiv dhe të qëndrueshëm, duke përfshirë edhe blerjen e mekanizmit. Masa 3 përfshin investimet në përpunimin dhe marketingun e produkteve bujqësore dhe të peshkut, ndërsa masa 7 është dedikuar për veprimtari plotësuese në fermat bujqësore dhe zhvillimin e bizneseve rurale. Nga masa 7, në këtë thirrje janë përjashtuar prodhimi dhe shitja e energjisë nga burimet e ripërtëritshme.


