Shtatë persona janë privuar nga liria gjatë 24 orëve të fundit në lokacione të ndryshme të Maqedonisë së Veriut, pasi janë kapur duke drejtuar automjete pa e dhënë fare provimin e vozitjes.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), ndaj tyre dyshohet se është kryer vepra penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“, e paraparë në nenin 297-a të Kodit Penal.
Personat e arrestuar janë me inicialet A.S. (25) dhe M.S. (19) nga Shkupi, I.Q. (36) nga Pallçishtja e Poshtme e Bogovinës, D.M. (20) nga Gostivari, T.K. (50) nga fshati Blizansko i Makedonski Brodit, D.S. (40) nga Radovishi dhe S.M. (23) nga Prilepi.
Nga MPB bëjnë të ditur se pas dokumentimit të plotë të rasteve do të parashtrohen kallëzimet përkatëse penale.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të mos drejtojnë automjete pa patentë shoferi, me ndalesë aktive për vozitje apo nën ndikimin e alkoolit.
Autoritetet paralajmërojnë se drejtimi i automjetit pa aftësimin dhe provimin e nevojshëm përbën rrezik serioz për sigurinë në trafik dhe jetën e pjesëmarrësve në komunikacion.


