Një pushim në Tajlandë është shndërruar në një ngjarje tragjike, pasi një turist amerikan 46-vjeçar ka humbur jetën pas një përleshjeje fizike me një shtetas italian, ish-sportist i arteve marciale mikse (MMA) dhe kampion në Brazilian Jiu-Jitsu.
Ngjarja ndodhi mëngjesin e së dielës, më 22 nëntor, në një hotel në zonën Phra Khanong të Bangkokut.
Sipas mediave lokale, viktima, Kalif Edward Harper, 46 vjeç, nga Miçigani, fillimisht ishte përfshirë në një debat me punonjësit e hotelit për shkak të zhurmës. Gjatë konfliktit, ai dyshohet se kishte kërcënuar edhe recepsionisten.
Situata mori një kthesë dramatike kur në hollin e hotelit mbërriti shtetasi italian 39-vjeçar, Frank Eric Marques, i cili po drejtohej drejt ashensorit.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë, Harper iu afrua italianit dhe, pavarësisht përpjekjeve të këtij të fundit për t’u larguar, e tërhoqi me forcë nga ashensori, duke shkaktuar përleshjen fizike mes tyre.
Gjatë konfliktit, italiani përdori një teknikë bllokimi të qafës, duke e rrëzuar amerikanin në tokë. Ky i fundit humbi ndjenjat dhe nuk arriti të mbijetonte, pavarësisht ndërhyrjes së shërbimeve të urgjencës dhe përpjekjeve për reanimim.
Italiani pretendon se veproi në vetëmbrojtje
Pas ngjarjes, 39-vjeçari italian nuk u largua nga hoteli, por priti mbërritjen e policisë tajlandeze. Gjatë marrjes në pyetje, ai deklaroi se kishte reaguar në vetëmbrojtje, pasi ishte sulmuar fillimisht nga turisti amerikan.
Pamjet e kamerave të sigurisë duket se tregojnë se përplasja fizike nisi pasi Harper e tërhoqi italianin nga ashensori. Megjithatë, autoritetet po hetojnë rrethanat e plota të ngjarjes për të përcaktuar nëse përdorimi i forcës ishte proporcional dhe në kushtet e vetëmbrojtjes.
Policia ka ndaluar shtetasin italian dhe ka nisur procedurat penale për rastin, ndërsa ekspertët mjekoligjorë po punojnë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes.
Autoritetet tajlandeze janë gjithashtu në kontakt me Ambasadën Amerikane për procedurat që lidhen me viktimën dhe njoftimin e familjarëve.
Hetimet vijojnë, ndërsa vendimin përfundimtar lidhur me përgjegjësinë penale të të dyshuarit do ta përcaktojë drejtësia tajlandeze.
Motra e Kim Jong-un kërcënon Zvicrën: Duam mbylljen e zyrës diplomatike në Phenian!


