Vetëm pak javë pas vizitës historike të ministrit të Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, në Korenë e Veriut, marrëdhëniet mes dy vendeve rrezikojnë të përkeqësohen sërish. Motra e liderit Kim Jong-un, Kim Yo Jong, ka kërcënuar me mbylljen e zyrës diplomatike zvicerane në Phenian, duke e cilësuar Zvicrën si një vend që ka humbur legjitimitetin për të qenë i pranishëm në vend.
Shkak për reagimin e ashpër janë bërë sanksionet e vendosura nga Berna ndaj Kampit Ndërkombëtar të Fëmijëve Songdowon në Korenë e Veriut. Më 3 nëntor 2026, autoritetet zvicerane e përfshinë kampin në listën e sanksioneve që lidhen me luftën në Ukrainë, duke ngrirë asetet e tij në Zvicër dhe duke ndaluar pagesat drejt tij.
Sipas akuzave të Bashkimit Evropian, kampi është përfshirë në transportimin e fëmijëve ukrainas nga territoret e pushtuara nga Rusia drejt Koresë së Veriut. BE-ja pretendon se raste të tilla janë regjistruar të paktën dy herë.
Përmes një deklarate të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve KCNA, Kim Yo Jong i cilësoi sanksionet një akt të hapur armiqësor dhe shkelje të sovranitetit të Koresë së Veriut.
Ajo bëri të ditur se do t’i rekomandojë Ministrisë së Jashtme të shqyrtojë tërheqjen e zyrës diplomatike zvicerane në ditët në vijim.
Vizita e Cassis nuk arriti të shmangë tensionet
Kërcënimi vjen në një moment veçanërisht të ndjeshëm diplomatik. Ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, qëndroi në Phenian më 29 dhe 30 tetor 2026, në vizitën e parë të një anëtari të Këshillit Federal zviceran në Korenë e Veriut pas 23 vjetësh.
Gjatë vizitës, Cassis u takua me ministren e Jashtme, Choe Son Hui, si dhe me zyrtarë të lartë të Partisë së Punëtorëve. Palët shprehën gatishmërinë për të promovuar dialogun dhe bashkëpunimin.
Ndërkohë, zyra diplomatike zvicerane në Phenian kishte rifilluar aktivitetin më 19 tetor, pas ndërprerjes së pranisë zvicerane gjatë pandemisë së COVID-19.
Zvicra dhe Koreja e Veriut kanë marrëdhënie diplomatike që nga viti 1974, ndërsa më herët Berna kishte pasur në Phenian një zyrë bashkëpunimi për zhvillim, e cila funksionoi nga viti 1997 deri në fillim të pandemisë.
Tashmë, vetëm disa javë pas rihapjes së zyrës dhe vizitës së nivelit të lartë, kërcënimi i Kim Yo Jong vë në pikëpyetje vazhdimësinë e pranisë diplomatike zvicerane në Korenë e Veriut.


