SHBA-të, plan për trajnimin e ushtarakëve sirianë

Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e nisjes së një programi trajnimi për forcat e armatosura siriane në fushën e asgjësimit të municioneve të pashpërthyera.

Sipas mediave të huaja, kjo do të shënonte bashkëpunimin e parë të drejtpërdrejtë ushtarak mes Uashingtonit dhe ushtrisë së re siriane, pas ndryshimit të pushtetit në Damask në vitin 2024.

Plani parashikon përfshirjen e rreth 15 vendeve aleate, mes tyre Britania, Franca, Gjermania, Australia, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Trajnimet mund të zhvillohen në Jordani dhe Siri, me një pjesëmarrje të kufizuar të trupave amerikane, duke nisur që në muajin mars.

Megjithatë, iniciativa përballet me pengesa ligjore në SHBA dhe rezerva brenda strukturave ushtarake siriane.

Legjislacioni amerikan kërkon verifikimin e plotë të forcave që do të përfitojnë nga ndihma, për shkak të shqetësimeve mbi shkeljet e të drejtave të njeriut nga pjesëtarë të forcave të reja të sigurisë.

Një tjetër çështje mbetet financimi. Zyrtarët amerikanë po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të rreth 200 milionë dollarëve të mbetur nga operacioni kundër Shtetit Islamik, megjithëse kjo shumë nuk është konfirmuar në mënyrë të pavarur.