Zbulimi tronditës nga ditari i Papa Françeskut: E pashë djallin tri herë, kishte sy kërcënues dhe flakë zjarri

Zbulime të pazakonta nga jeta shpirtërore e Papa Françeskut janë bërë publike përmes ditarit të tij personal, pjesë të të cilit janë publikuar në një libër të ri. Ish-kreu i Kishës Katolike ka shkruar se gjatë jetës së tij është përballur tri herë me atë që ai e përshkruan si shfaqje fizike të djallit, ndërsa në një tjetër rast pretendon se ka parë edhe portat e ferrit.

Libri me titull “The Private Diary of Pope Francis” përmban shënime të Jorge Mario Bergoglio, të mbajtura nga viti 1992 deri në gusht të vitit 2024. Materiali është përzgjedhur dhe sistemuar nga kardinali argjentinas Víctor Manuel Fernández, një bashkëpunëtor i afërt i Papa Françeskut. Sipas shënimeve, një nga episodet e para kishte ndodhur rreth 15 vite më parë, kur ai ishte ende në Buenos Aires. Françesku shkruante se kishte parë një figurë përmes dritares së makinës, duke përshkruar sytë e saj si kërcënues, por njëkohësisht joshës.

Një tjetër episod, sipas tij, kishte ndodhur në një kishëz karmelitane gjatë një meshe. “Më pa me sy të zjarrtë. Nuk do ta harroj atë vështrim, më intensiv se herën e parë. Ishin si flakë zjarri”, kishte shkruar ai.

Episodi i tretë, sipas ditarit, kishte ndodhur në Romë, disa ditë pas kthimit të tij nga një vizitë në Kili, në vitin 2018. Gjatë një takimi me zyrtarë të Vatikanit, Françesku shkruante se kishte parë dhe dëgjuar një prani që e përshkruante si djallin, me një zë triumfues që thoshte: “Tani kam marrë gjithçka që doja”.

Ai shtonte se nuk mund ta harronte tingullin e rëndë dhe të fuqishëm të zërit, ndërsa besonte se Zoti i kishte dhënë mundësinë të largohej nga ajo situatë.

Një tjetër shënim, i datës 7 qershor 2018, përshkruan një përvojë edhe më të frikshme. Papa Françesku shkruante se një natë më parë kishte parë hyrjen e ferrit. “Vështrova pak dhe u tmerrova”, kishte shënuar ai, duke treguar se kishte marrë rruzaren për t’u lutur dhe për të gjetur qetësi.

Këto përvoja, sipas kardinalit Fernández, lidhen me krizën e thellë shpirtërore që Françesku kaloi gjatë viteve 2021 dhe 2022. Ajo shoqërohej me presionin e drejtimit të Kishës, vështirësitë në marrjen e vendimeve dhe përballjen me problemet e brendshme të institucionit. Përtej rrëfimeve për përballjet me të keqen, ditari përmban edhe reflektime personale, pendesa dhe kritika ndaj vetvetes.

Françesku shkruante për ndjenjat e krenarisë, zilisë dhe përçmimit që kishte përjetuar gjatë jetës, si dhe për momentet kur kishte dështuar të tregonte dhembshuri ndaj njerëzve në nevojë.

Në një prej shënimeve ai shprehej se kishte kuptuar sa shumë dëm kishte shkaktuar gjatë jetës dhe sa shumë kishte nevojë për mëshirën e Zotit. Ditari përfshin shënime deri në gusht të vitit 2024, disa muaj përpara vdekjes së tij, më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare.

Publikimi i këtyre shënimeve përbën një dëshmi të rrallë mbi botën e brendshme shpirtërore të ish-Papës, duke zbuluar shqetësimet, frikërat, besimin dhe betejat e tij personale që deri më tani kishin mbetur larg syrit të publikut.