Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu po përpiqet të bindë SHBA-të për një tjetër sulm ushtarak ndaj Iranit, por nisma e tij ka ngjallur dyshime se mund të lidhet edhe me përpjekjet për të ruajtur pushtetin. Netanyahu ka lobuar personalisht te presidenti Donald Trump dhe ka dërguar përfaqësues për të bindur zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë, CIA-s dhe Komandës Qendrore amerikane për nevojën e një ofensive të re.
Megjithatë, ai nuk u ka shpjeguar ende qytetarëve izraelitë pse një sulm është i nevojshëm pikërisht tani, çfarë synon të arrijë dhe si mund të shmanget përshkallëzimi i konfliktit në rajon. Edhe analistë që zakonisht u besojnë vlerësimeve të strukturave izraelite të sigurisë shprehen se nuk është e qartë nëse një ofensivë e re do t’i shërbente interesave të vendit apo atyre politike të kryeministrit.
Raz Zimmt, drejtues i kërkimeve për Iranin në Institutin për Studime të Sigurisë Kombëtare në Tel Aviv, tha se brenda strukturave izraelite ekziston një konsensus se një sulm parandalues ndaj Iranit mund të bëhet i nevojshëm në të ardhmen, për shkak të rritjes së kapaciteteve ushtarake të Teheranit. Megjithatë, nuk ka një marrëveshje për kohën kur duhet të ndërmerret një veprim i tillë. “Dyshoj nëse kjo kërkon vërtet një veprim të menjëhershëm”, u shpreh ai.
Dyshimet për motivet e Netanyahut janë shtuar për shkak të krizës politike në Izrael. Kreu i partisë së majtë Demokratët, Yair Golan, e akuzoi kryeministrin se po e shtyn vendin drejt një tjetër lufte për të shpëtuar pozitat e tij politike. Edhe ish-shefi i ushtrisë, Gadi Eisenkot, paralajmëroi se përzierja e interesave ushtarake me ato politike është e rrezikshme për sigurinë e qytetarëve.
Nga ana tjetër, zëdhënësi i Netanyahut, Doron Spielman, mohoi që vendimet për Iranin të ndikohen nga llogaritë politike. Sipas tij, kryeministri udhëhiqet vetëm nga siguria e Izraelit, ndërsa Irani po përpiqet të sigurojë kapacitetet për të realizuar kërcënimet ndaj Izraelit, SHBA-ve dhe vendeve perëndimore.
Në diskutimet për një sulm të ri, një tjetër çështje është nëse Izraeli duhet të veprojë i vetëm apo në koordinim me amerikanët. Tre zyrtarë izraelitë të sigurisë thanë se ushtria do të preferonte një operacion të përbashkët me SHBA-të, nëse krijohet mundësia. Sipas tyre, shumë komandantë të lartë nuk e mbështesin një sulm të njëanshëm në të ardhmen e afërt, pasi ai mund të rrezikojë një ofensivë të koordinuar dhe aktualisht nuk ka arsye të mjaftueshme për të vepruar menjëherë.
Përpjekjet e Netanyahut për një ofensivë të re zhvillohen në një moment delikat për politikën izraelite. Pas zgjedhjeve të 27 tetorit, partitë opozitare fituan 67 nga 120 vendet në parlament, ndërsa Likud-i i Netanyahut mori 27 mandate. Partia Yashar e drejtuar nga Eisenkot fitoi 21 vende, ndërsa opozita ka refuzuar kërkesën e kryeministrit që një qeveri e mundshme uniteti të drejtohet nga Likud-i.
Netanyahu fillimisht vuri në pikëpyetje rregullsinë e zgjedhjeve dhe u përpoq të pengonte opozitën të formonte qeverinë me mbështetjen e partive kryesisht arabe, të cilat fituan 19 mandate. Më 7 nëntor, ai ndryshoi qëndrim dhe nisi të promovonte krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, duke argumentuar se ajo do të ndihmonte në përballimin e kërcënimit iranian dhe forcimin e unitetit në vend. Por opozita e ka refuzuar këtë propozim, pasi një nga premtimet kryesore të Eisenkotit gjatë fushatës ishte largimi i Netanyahut nga posti i kryeministrit.
Një sulm i ri ndaj Iranit mund të krijonte një situatë emergjence kombëtare dhe të ushtronte presion mbi opozitën për t’u bashkuar me Netanyahun. Një precedent i tillë ekziston nga viti 2023, kur Eisenkot pranoi të hynte në një qeveri uniteti të drejtuar nga Netanyahu pas sulmeve të Hamasit më 7 tetor.
Kryeministri ka zhvilluar gjithashtu takime për situatën e sigurisë me ish-kryeministrin Naftali Bennett dhe Avigdor Libermanin, dy aleatë të rëndësishëm të Eisenkotit. Bennett mbështet një qeveri uniteti të drejtuar fillimisht nga Eisenkoti, ndërsa Liberman e ka refuzuar marrëveshjen me Netanyahun, duke e cilësuar atë si një “kurth”.
Nëse Eisenkoti dhe aleatët e tij nuk arrijnë të formojnë qeverinë përpara afatit të 6 dhjetorit, Izraeli mund të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Ndërkohë, një përballje e re me Iranin mund të ndryshojë situatën politike dhe të ndikojë në përpjekjet për krijimin e qeverisë së ardhshme.
Përpara zgjedhjeve, Netanyahu ishte përballur edhe me kundërshtime brenda ushtrisë për një sulm të mundshëm ndaj Iranit. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Eyal Zamir, kishte kundërshtuar një ndërhyrje në periudhën parazgjedhore, duke vënë në dukje ndjeshmërinë politike dhe vështirësinë për t’i shpjeguar publikut pse sulmi duhej të kryhej në atë moment.
Ndërkohë, objektivat e një ofensive të re nuk janë bërë ende publike. Zyrtarë dhe analistë izraelitë përmendin si mundësi programin iranian të armëve kimike, programin bërthamor, raketat balistike dhe dronët. Një tjetër objektiv mund të jetë infrastruktura energjetike, nëse SHBA-të dhe Izraeli vendosin të tentojnë sërish dobësimin ose rrëzimin e regjimit në Teheran.
Gjatë luftës së mëparshme, SHBA-të dhe Izraeli goditën objekte të ndryshme në Iran, përfshirë infrastrukturë civile, rrugë, ura, hekurudha, shkolla, objekte petrokimike dhe depozita karburanti. Irani u kundërpërgjigj me sulme ndaj aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, duke shënjestruar objekte energjetike, aeroporte, impiante të ujit dhe centrale elektrike. Raketat iraniane goditën gjithashtu ndërtesa banimi dhe një stacion hekurudhor në Izrael.
Sipas zyrtarëve izraelitë, ushtria kishte përgatitur edhe një plan për të goditur prodhimin e naftës, rafineritë dhe infrastrukturën e eksportit të Iranit, por Trump e kishte ndaluar atë operacion. Më vonë, presidenti amerikan kërcënoi me sulme të ngjashme, duke paralajmëruar se ato mund të çonin në “shkatërrimin e qytetërimit iranian”.
Goditja e infrastrukturës civile në një vend me rreth 93 milionë banorë do të shkaktonte pasoja të rënda për popullsinë dhe, sipas së drejtës ndërkombëtare, në shumë raste mund të përbënte krim lufte. Tre zyrtarët izraelitë të sigurisë thanë se planet për goditjen e infrastrukturës iraniane janë sërish në tryezë.
Ndërkohë, Irani ka paralajmëruar se në rast të një sulmi të ri do të godasë objektet e naftës, impiantet e shkripëzimit të ujit, qendrat e të dhënave dhe infrastrukturën tjetër civile në rajon, duke shtuar rrezikun e përhapjes së konfliktit në vende të tjera të Lindjes së Mesme.


