Koreja e Jugut ngriti në ajër avionët luftarakë të martën dhe lëshoi një paralajmërim për banorët e një ishulli në lindje të vendit, duke u kërkuar të strehoheshin për shkak të afrimit të disa avionëve ushtarakë rusë.
Sipas Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Koresë së Jugut, disa avionë rusë iu afruan ishullit Ulleung, në brigjet lindore të vendit, dhe për pak sa nuk hynë në hapësirën e tij ajrore. Ushtria tha se i kishte ndjekur lëvizjet e tyre dhe kishte vlerësuar se ekzistonte rreziku i një shkeljeje të hapësirës ajrore.
Zëdhënësi i Shtabit të Përgjithshëm, Jang Do-young, deklaroi se autoritetet lëshuan paralajmërimin paraprakisht për të garantuar sigurinë e banorëve. Megjithatë, në fund, avionët rusë nuk hynë në hapësirën ajrore të Koresë së Jugut.
Ministria e Mbrojtjes njoftoi se do të thërrasë më vonë gjatë ditës atasheun ushtarak rus në Seul për t’i paraqitur një protestë të fortë lidhur me incidentin. Ambasada ruse në Korenë e Jugut nuk kishte reaguar menjëherë ndaj kërkesës për koment.
Paralajmërimi për banorët u dha nga Ministria e Sigurisë, në koordinim me ushtrinë, duke i këshilluar ata të strehoheshin për shkak të rrezikut të ndërhyrjes së avionëve rusë. Masa u anulua vetëm tre minuta më vonë, pasi situata u vlerësua nën kontroll.
Sipas zëdhënësit ushtarak, avionët rusë iu afruan shumë hapësirës ajrore mbi ishullin Ulleung. Për të shmangur çdo incident të mundshëm, avionët luftarakë të Koresë së Jugut kryen manovra taktike për t’i mbajtur ata larg.
Zona e Identifikimit të Mbrojtjes Ajrore (ADIZ) është një hapësirë e përcaktuar nga shtetet për të identifikuar dhe monitoruar avionët që afrohen drejt territorit të tyre. Avionët rusë kanë hyrë disa herë në këtë zonë të Koresë së Jugut gjatë muajve të fundit, pasi Moska nuk e njeh këtë përcaktim. Megjithatë, paralajmërimi i mbrojtjes civile që u kërkon banorëve të strehohen urgjentisht ishte një masë e pazakontë.
Ndërkohë, një tjetër njoftim alarmi u lëshua gabimisht nga autoritetet e provincës ku ndodhet ishulli, sipas të cilit një avion i dyshuar si i Koresë së Veriut kishte hyrë në zonë. Ky njoftim u tërhoq më pas.


