Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari në Click Plus ka treguar se ideja fillestare pas zgjedhjeve ishte që partitë përbërëse të koalicionit të atëhershëm të VLEN-it, të bashkoheshin në dy subjekte politike, për të kaluar më pas në një bashkim të përbashkët.
Sipas Taravarit, plani ishte që Lëvizja Demokratike e Izet Mexhitit dhe Aleanca për Shqiptarët të bashkoheshin në një subjekt, ndërsa Lëvizja Besa dhe Alternativa në një tjetër. Në fazën e dytë, të katër partitë do të bashkoheshin në një subjekt të vetëm politik.
“Unë kam besuar te Izet Mexhiti. Kemi menduar që pas zgjedhjeve LD-ja dhe Aleanca për Shqiptarët të bashkohen, kurse Besa dhe Alternativa të bashkohen e pastaj, në fazën e dytë, të bashkohen të gjitha. Katër partitë në një”, deklaroi Taravari.
Ai tha se kjo ide ishte diskutuar mes tyre, por se pas kongresit të Aleancës për Shqiptarët në dhjetor të vitit 2024, brenda VLEN-it nisën të shfaqeshin pakënaqësi dhe frustrime.


