Detaje të reja janë zbardhur lidhur me arrestimin e dy personave të dyshuar për vjedhjen e vilës së Princit William dhe Princeshës Kate në Norfolk në Britani të Madhe. Mediat britanike raportojnë se dy të arrestuarit janë shqiptarë të cilët janë identifikuar si Mirgen Doku dhe Arilen Ndoci.
Sipas artikullit të The Sun, ata dyshohet se kanë hyrë në pronën mbretërore Anmer Hall, që ndodhet në kompleksin e Sandringham Estate.
Njëri prej tyre raportohet se ishte emigrant i paligjshëm në Britani, i cili kishte paraqitur më parë një kërkesë për azil, të cilës tashmë i kishte përfunduar afati. Ndërsa për statusin e personit tjetër nuk janë dhënë detaje.
Sipas policisë, ngjarja është raportuar mbrëmjen e së hënës, më 23 nëntor, pas një denoncimi për aktivitet të dyshimtë në një pronë që ndodhet në territorin e Sandringham Estate, rezidencë private e familjes mbretërore britanike.
Pas marrjes së njoftimit, policia ndërmori një operacion kërkimi, ku u angazhuan qen nuhatës, dronë dhe një helikopter i Shërbimit Ajror të Policisë Kombëtare. Dy të dyshuarit u lokalizuan dhe u arrestuan brenda territorit të pronës. Ata vijojnë të qëndrojnë në paraburgim, ndërsa hetimet janë në zhvillim.
Policia e Norfolkut konfirmoi se në momentin e incidentit prona ishte e pabanuar. Princ William, Princesha Kate dhe tre fëmijët e tyre, George, Charlotte dhe Louis, ndodheshin në rezidencën e tyre në Windsor.
Anmer Hall është një rezidencë, e cila iu dhurua çiftit mbretëror nga Mbretëresha Elizabeth II pas martesës së tyre në vitin 2011. Prona përdoret nga familja mbretërore kryesisht gjatë fundjavave dhe pushimeve.
Nuk është hera e parë që pronat mbretërore bëhen objekt i incidenteve të sigurisë. Në tetor të vitit 2024, persona të maskuar hynë me forcë në territorin e Kështjellës Windsor dhe vodhën dy automjete nga një ndërtesë bujqësore.
Ndërsa në vitin 2021, një person i armatosur me hark dhe shigjetë u arrestua në ambientet e kështjellës. Ai u dënua më vonë me nëntë vite burg, pasi pranoi se kishte kërcënuar Mbretëreshën Elizabeth II.
Një tjetër incident i njohur daton në vitin 1982, kur një person arriti të hynte në dhomën private të Mbretëreshës Elizabeth II në Pallatin Buckingham, ndërsa ajo ndodhej në shtrat.


