Nga sulmet te lëvdatat! Trump i hap derën senatorit demokrat të Michiganit për diskutimin e planit “Trumpcare” në SHBA

Presidenti Donald Trump ka bërë të ditur, në një intervistë për gazetën “New York Post”, synimin e tij për t’u takuar me senatorin e sapozgjedhur demokrat nga Michigan-i, Abdul El-Sayed, për të diskutuar zbatimin e një sistemi të kujdesit shëndetësor universal në Shtetet e Bashkuara, me emrin “Trumpcare”.

Presidenti amerikan e cilësoi si “shumë të zgjuar” idenë e senatorit demokrat për t’i vendosur emrin Trump planit për kujdes shëndetësor universal, duke shprehur optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje.

“Është njeri i zgjuar. Ka bërë punë të mirë. Në fakt, ka bërë një punë shumë të mirë”, deklaroi Trump duke qeshur, gjatë intervistës 45-minutëshe që dha të martën në Zyrën Ovale.

“E di që do të takohem me të. Ndoshta mund të gjejmë një zgjidhje të ndërmjetme për të cilën mund të biem dakord”, shtoi ai, pa përcaktuar datën e takimit.

Trump shprehu gjithashtu bindjen se mund të arrijë marrëveshje ligjore me demokratët, të cilët nga janari do të kontrollojnë të dyja dhomat e Kongresit.

“Do t’i vë veto çdo gjëje dhe më pas, në një moment të caktuar, besoj se ata do të dëshirojnë të negociojnë. Edhe unë do ta bëj këtë. Mund të merremi me kujdesin shëndetësor. Mund të bëjmë shumë gjëra të mëdha së bashku”, deklaroi ai.

El-Sayed ka shprehur tashmë gatishmërinë për t’u takuar me presidentin amerikan, me qëllim diskutimin e mundësive për bashkëpunim.

“Donald, nëse po dëgjon, ka shumë gjëra për të cilat mund të bashkëpunojmë. Do të isha i lumtur të takoheshim. Le të shohim se në çfarë mund të bashkëpunojmë dhe çfarë mund të arrijmë”, kishte deklaruar ai më herët gjatë nëntorit për rrjetin publik amerikan të radios NPR.

Senatori prezantoi idenë e një karte të artë sigurimi shëndetësor, në të cilën emri “Trumpcare” do të ishte i stampuar dhe që do t’u garantonte qytetarëve amerikanë mbulim universal shëndetësor.

Duke publikuar në rrjetet sociale një model ilustrues të kartës, ai iu drejtua presidentit amerikan me këto fjalë: “Donald, kjo është propozimi që kemi në tryezë. Kujdes shëndetësor i garantuar për çdo amerikan, nga lindja deri në vdekje”.

El-Sayed ka deklaruar se është i gatshëm të bëjë gjithçka që nevojitet për miratimin e planit, pavarësisht se çfarë emri do të marrë ai.

“Vendoseni emrin e tij mbi të. Me shumë gjasë do ta miratojë. Nuk kam asnjë problem ta bëj këtë. Nuk më intereson si do të quhet”, tha ai për NPR.

Deklaratat e dy politikanëve shënojnë një ndryshim në retorikën e tyre pas zgjedhjeve afatmesme në Shtetet e Bashkuara.

Gjatë fushatës zgjedhore, Trump e kishte cilësuar El-Sayedin si “një xhihadist të çmendur që dëshiron t’ju shkatërrojë”, ndërsa kandidati demokrat e kishte akuzuar presidentin amerikan për përdorim të retorikës së urrejtjes.