Drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, ka kërkuar reagim më efikas institucional ndaj dhunës me bazë gjinore, duke theksuar se gratë dhe vajzat duhet të mbrohen njësoj si në jetën e përditshme, ashtu edhe në hapësirën digjitale.
Me rastin e 25 Nëntorit – Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, mori pjesë në një aktivitet të organizuar nga Misioni i OSBE-së në Shkup. Ky aktivitet shënoi edhe fillimin e fushatës globale „16 Ditë Aktivizëm“.
Në qendër të diskutimeve ishte dhuna digjitale ndaj grave dhe vajzave, një fenomen që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje për shkak të pasojave që shkakton në sigurinë, privatësinë dhe dinjitetin e viktimave.
Gjatë fjalimit të tij, Janev theksoi se mbrojtja e grave nuk mund të kufizohet vetëm në hapësirat fizike, pasi dhuna mund të ushtrohet edhe përmes ekraneve dhe platformave digjitale.
Ai bëri të ditur se luftimi i dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje mbetet prioritet strategjik për Byronë e Sigurisë Publike.
Sipas Janevit, reagimi institucional duhet të përfshijë veprim të shpejtë dhe profesional të policisë, vlerësim në kohë të rrezikut, mbrojtje të viktimave dhe bashkëpunim më të fortë ndërmjet institucioneve. Po ashtu, ai theksoi nevojën për avancimin e kapaciteteve në trajtimin e rasteve të dhunës digjitale dhe sigurimin e provave elektronike.
Janev u shpreh se viktimat nuk duhet të mbeten të vetme përballë dhunës dhe se përgjegjësia për veprën i takon gjithmonë kryerësit. Ai nënvizoi se çdo person që kërkon ndihmë duhet të dëgjohet, të mbrohet dhe të marrë përgjigje profesionale nga institucionet.
Një rëndësi të veçantë, drejtori i Byrosë për Siguri Publike i kushtoi edhe përfshirjes së të rinjve në aktivitetet parandaluese, duke theksuar se krijimi i një shoqërie të bazuar në respekt, besim dhe përgjegjësi të përbashkët është thelbësor në luftën kundër dhunës.
„Përkushtimi i institucioneve nuk matet me fjalët që i themi sot, por me sigurinë, besimin dhe ndryshimet që i sigurojmë çdo ditë“, deklaroi Janev.


