Aksion ndërkombëtar i INTERPOL-it: Sekuestrohen 67 automjete në Maqedoninë e Veriut, dy persona përfundojnë në pranga

Gati 4 mijë automjete janë kontrolluar gjatë operacionit ndërkombëtar “CARBACK II”, ndërsa hetimet kanë zbuluar raste të dyshuara të kontrabandës, falsifikimit të dokumenteve dhe mashtrimeve me automjete.

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka bërë të ditur rezultatet e pjesëmarrjes në operacionin ndërkombëtar “CARBACK II”, të organizuar nga INTERPOL-i, i cili është zhvilluar nga 28 shtatori deri më 9 tetor 2026.

Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar gjithsej 3.944 automjete në disa pika kontrolli, vendkalime kufitare dhe lokacione kritike në të gjithë vendin. Si rezultat i aktiviteteve policore, janë sekuestruar 67 automjete, ndërsa dy persona janë privuar nga liria.

Operacioni kishte për qëllim luftimin e kriminalitetit që lidhet me automjetet motorike, veçanërisht vjedhjen, kontrabandimin dhe tregtimin e paligjshëm të tyre, si dhe identifikimin e grupeve të organizuara kriminale që merren me mashtrime sigurimesh, lizingu dhe mashtrime të tjera financiare.

55 automjete dyshohet se lidhen me kontrabandën

Sipas njoftimit të MPB-së, nga 67 automjetet e sekuestruara, 55 janë marrë për shkak të dyshimeve për veprën penale të fshehjes së mallrave që janë objekt i kontrabandës dhe mashtrimit doganor.

Ndërkohë, tre automjete janë sekuestruar për shkak të dyshimeve për falsifikim të dokumenteve dhe numrave të shasisë (VIN), katër për kundërvajtje doganore, ndërsa dy të tjera ishin në kërkim ndërkombëtar nga Gjermania për shkak të rasteve të lidhura me mashtrime me lizing dhe përvetësim të paligjshëm.

Në mesin e automjeteve të sekuestruara janë edhe një automjet për veprën penale të përvetësimit të paligjshëm, një për falsifikim dokumentesh përmes përdorimit të targave të një automjeti tjetër dhe një tjetër për dyshime për cenimin e të drejtave të huaja.

Kontrolle edhe në bizneset që tregtojnë automjete të përdorura

Përveç kontrolleve policore, janë zhvilluar edhe inspektime të koordinuara në 17 subjekte juridike që ushtrojnë veprimtari të shitjes së automjeteve dhe pjesëve të përdorura.

Gjatë këtyre kontrolleve janë inspektuar 809 automjete, prej të cilave 59 janë sekuestruar.

Në operacion kanë marrë pjesë disa njësi të Byrosë për Siguri Publike, përfshirë strukturat për bashkëpunim ndërkombëtar policor, policinë kriminalistike, luftimin e krimit të organizuar dhe të rëndë, çështjet kufitare dhe migracionin, si dhe sektorët për punë të brendshme.

Kontribut në këtë aksion kanë dhënë edhe Drejtoria e Doganave, Drejtoria e të Ardhurave Publike, Inspektorati Shtetëror i Punës, Inspektorati Shtetëror i Tregut dhe Inspektorati Shtetëror i Mjedisit Jetësor.

MPB-ja vlerëson se pjesëmarrja në operacionin “CARBACK II” përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ndërinstitucional, me qëllim zbulimin dhe luftimin e krimit të organizuar dhe atij ndërkufitar.

Policia kontrollon 786 automjete në gjithë vendin, zbulohen 373 kundërvajtje nga shoferët!