Kancelari gjerman Friedrich Merz paralajmëroi se synimet e Rusisë nuk kufizohen vetëm te Ukraina, gjatë një fjalimi në Bundestag, në kuadër të diskutimit për buxhetin, duke theksuar nevojën për forcimin e mbrojtjes evropiane dhe vazhdimin e mbështetjes për Kievin.
“Rusia e di saktësisht se çfarë dëshiron dhe dëshiron më shumë se Ukrainën”, deklaroi kancelari gjerman.
“Kushdo që nuk e kupton këtë, ose nuk e njeh botën ashtu siç është në të vërtetë, ose i shërben një agjende krejtësisht të ndryshme, e cila bie ndesh me lirinë, hapjen dhe vlerat liberale të vendit tonë”, shtoi ai.
Merz akuzoi Moskën se po përshkallëzon tensionet në rajonin e Baltikut, në Poloni, në Detin e Zi dhe madje edhe në hapësirë.
“Po i përshkallëzon tensionet në një shkallë të jashtëzakonshme, madje edhe brenda kufijve tanë, madje edhe duke shkaktuar humbje jetësh njerëzore. Kjo është situata, zonja dhe zotërinj. Dhe pikërisht për këtë arsye, ne si evropianë duhet t’i vendosim Rusisë kufij të qartë dhe do ta bëjmë këtë”, theksoi ai.
Duke iu referuar takimit të “Koalicionit të të Gatshmëve”, të mbajtur javën e kaluar në Berlin, kancelari gjerman tha se delegacioni amerikan dukej i befasuar nga niveli i unitetit të evropianëve për çështjen e Ukrainës.
“Pikërisht ky vendosmëri na lejon të jemi me optimizëm të përmbajtur për perspektivën e paqes, një paqeje të vërtetë”, deklaroi ai.
Merz përsëriti se mbështetja për Kievin lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e vetë Evropës.
“Duke mbështetur Ukrainën, mbështesim dhe mbrojmë edhe veten”, theksoi ai, duke shtuar se rëndësia e kësaj mbështetjeje ndoshta ende nuk është kuptuar plotësisht nga shumë qytetarë në Gjermani.
Në prag të samitit të Bashkimit Evropian, i cili nis të enjten, Merz foli edhe për negociatat mbi buxhetin e ardhshëm evropian.
Kancelari gjerman hodhi poshtë përshtypjen se i konsideron tepër të larta kontributet financiare të Gjermanisë në BE, por theksoi se synon kufizimin e shpenzimeve dhe përqendrimin e tyre në dy prioritete kryesore: sigurinë dhe konkurrueshmërinë.
Siç u shpreh ai, vetëm përmes kësaj qasjeje Evropa mund të sigurojë që “të mos bëhet thjesht një lojë në duart e të tjerëve, por të kontribuojë në formësimin e botës”.
Në fjalimin e tij, Merz pranoi se Gjermania i ka lënë pas dore për një kohë tepër të gjatë çështjet themelore që lidhen me mbrojtjen, infrastrukturën, demografinë dhe ekonominë, duke theksuar nevojën për trajtimin e tyre të menjëhershëm.
Në përfundim, ai nënvizoi se një buxhet i vetëm nuk mjafton për zgjidhjen e problemeve që kanë mbetur pezull prej shumë vitesh. Megjithatë, ai u shpreh se Gjermania ka nisur të ndryshojë drejtim, duke vënë në dukje se treguesit ekonomikë po shfaqin shenjat e para të përmirësimit.


