Në fjalën e tij, Kurti ka kërkuar edhe zbatimin e plotë të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit, veçanërisht të marrëveshjes për mobilitetin, për të mundësuar njohjen e diplomave dhe lëvizjen e lirë të studentëve dhe profesionistëve në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.
Ai ka folur edhe për sundimin e ligjit dhe luftën kundër krimit të organizuar, duke kërkuar nga Serbia arrestimin dhe dorëzimin e Milan Radoiçiqit.
“Nevojitet që Serbia ta arrestojë dhe ta dorëzojë terroristin kryesor Milan Radoiçiq, i cili së bashku me 44 bashkëpunëtorët e tij paramilitarë i zunë pritë dhe vranë rreshterin Afrim Bunjaku në shtator të vitit 2023”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se Kosova i përmbahet parimeve evropiane, duke përmendur edhe zbatimin e të gjitha pakove të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë pas agresionit kundër Ukrainës në shkurt të vitit 2022.


