A do të kthehet Vjosa Osmani në LDK? – Haliti: LDK-ja do të bëjë rikthim të madh

Sokol Haliti, kryetar i komunës së Vitisë nga LDK-ja, foli në Edicionin Special të Klan Kosova në lidhje me atë që po duhet përbashkimin e madh të partisë.

“Të gjithë LDK-istat, që kanë vetëdije shtetërore, ata që i mundon kjo situatë e tanishme… Dua të shoh pozitivitet në përbashkimin tonë të madh që do ta bëjmë, që lideri ynë e ka proklamuar së fundmi. Është obligim shtetëror, qytetar, politik e partiak që të gjithë ne të përbashkohemi dhe të rikthehemi në funksion të shërbimit për qytetar, për shtetin, për formimin e institucioneve, në mënyrë që t’i japim vendin institucione kredibile, që nuk do të thotë me qenë njëpartiake dhe autoritare”, tha Haliti.

Ai u shpreh i bindur se LDK-ja do të bëjë rikthim të madh nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Shumë shpejt, ditët në vijim, do ta shohin të gjithë se çka do të thotë përbashkimi i madh, do të jetë rikthimi i të gjithë atyre që kanë dalë nga LDK, aktivizimi i të gjithë atyre që janë pasivë në LDK, pajtimi i të gjithë atyre që vërtetë kanë pasur hatërmbetje kohëve të fundit. Edhe mërgata besoj se do ta përkrahë fuqishëm. Ka zëra kohët e fundit që vërtetë do të rikthehen fuqishëm pranë një programi qeverisës që i ndihmon Kosovën në rikthimin në binarët e orientimeve euroatlantike dhe zhvillimit ekonomik”, u shpreh Sokol Haliti.

By admin1