Irani njoftoi sot se dy raketa goditën një anije të marinës amerikane pranë ishullit Jask në jug të vendit, pasi ajo injoroi paralajmërimet për t’u ndalur, raportoi agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Fars, transmeton Anadolu.
“Anija e cila po lundronte sot në Ngushticën e Hormuzit duke shkelur sigurinë e trafikut dhe transportit detar pranë ishullit Jask u shënjestrua nga një sulm me raketa pasi injoroi një paralajmërim nga Marina e Republikës Islamike të Iranit”, tha Fars duke cituar burime lokale.
“Anija nuk ishte në gjendje të vazhdonte rrugën e saj si rezultat i sulmit dhe u detyrua të kthehej prapa dhe të largohej nga zona”, tha agjencia. Nuk u dhanë detaje rreth shkallës së dëmit ose viktimave të mundshme.
Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike paralajmëroi më parë se çdo anije që shkel protokollet e tranzitit të lëshuara nga Teherani në Ngushticën e Hormuzit do të ndalet me forcë.
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga SHBA-ja për raportin.
SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme kundër Iranit më 28 shkurt, duke shkaktuar hakmarrje nga Teherani kundër Izraelit, si dhe aleatëve të SHBA-së në Gjirin Persik, së bashku me mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Që nga 13 prilli, SHBA-të kanë zbatuar bllokadë detare që synon trafikun detar iranian në rrugën strategjike ujore.
Një armëpushim dyjavor u njoftua më 8 prill me ndërmjetësimin pakistanez, i ndjekur nga bisedime të drejtpërdrejta në Islamabad më 11 prill, por nuk u arrit asnjë marrëveshje për armëpushim të qëndrueshëm.
Presidenti amerikan Donald Trump më vonë e zgjati armëpushimin pa vendosur një afat të ri, pas një kërkese nga Pakistani.

