Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Lumir Abdixhiku, ka kritikuar qeverisjen aktuale për mënyrën e realizimit dhe promovimit të projekteve infrastrukturore, duke thënë se qytetarët meritojnë investime të mëdha dhe jo, siç u shpreh ai, përurime simbolike të veprave të vogla.
Në një postim gjatë fushatës zgjedhore, Abdixhiku tha se LDK-ja ka dëshmuar në të kaluarën se i ka mbajtur premtimet për projektet madhore infrastrukturore.
“Jemi të vërtetë. Kur themi do të bëjmë Autostradë, bëjmë Autostradë; nuk përurojmë vadë n’Lupç e urë n’Saradran”, ka deklaruar Abdixhiku.
Ai ironizoi me përurimet e disa projekteve të vogla, duke thënë se ato do të mbesin si dëshmi e një kohe që, sipas tij, nuk duhet të përsëritet.
“Vadën në Lupç, e Urën në Saradran, do t’i bëjmë vepra të muzeut. Të muzeut që na tregon se si dukej komunizmi në Kosovë në një kohë”, është shprehur kandidati i LDK-së për kryeministër.
Abdixhiku ka vazhduar fushatën e tij me kritika ndaj qeverisë aktuale, duke e akuzuar atë për mungesë të projekteve zhvillimore dhe për fokusim në iniciativa që, sipas tij, nuk adresojnë nevojat reale të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

