Numri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe numrat e disa personave në listën e kësaj partie janë shfaqur në disa letra të vendosura nëpër ambientet e Konsullatës së Kosovës në New York, atje ku votimi për zgjedhjet e 7 qershorit ka filluar.
Nacionale ka publikuar fotografi , ku shihet numri 116 i VV-së dhe numrat e disa prej kandidatëve për deputet.
Letrat kanë qëndruar të vendosura aty për mbi pesë orë.

Nuk dihet ende nëse autoritetet përkatëse janë njoftuar në lidhje me këtë veprim.
Votimi në Ambasada dhe përfaqësi diplomatike ka nisur sot. Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi më herët njoftoi për numrin e personave që kanë votuar deri në orën 13:00.
“Me fillimin e votimit në përfaqësitë diplomatike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në Kanada, në orën 13:00 sipas kohës lokale në Kosovë, ju njoftojmë se tashmë procesi i votimit është duke vazhduar në të gjitha përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës”, deklaroi Elezi.
Sipas tij, votimi po zhvillohet në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme të botës.
“Sipas të dhënave nga 26 përfaqësi diplomatike, deri në orën 13:00 nga 27,724 votues të regjistruar, kanë votuar 38.97 për qind apo 10,804 votues”, bëri të ditur ai.
Policia e Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit u kanë bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo ndërhyrjeve të kundërligjshme në procesin zgjedhor, në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit.
Në një komunikatë të përbashkët për media, dy institucionet theksuan se mbeten të përkushtuara për mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor dhe të vullnetit të lirë të qytetarëve.
“U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, gjuhe, përkatësie politike apo bindjeje personale, që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës lirshëm, pa presion, pa frikë, pa ndikime të jashtme dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar të presionit, kërcënimit apo çfarëdo forme tjetër të ndërhyrjes së kundërligjshme në procesin zgjedhor”, thuhet në komunikatë.

