“Si mund të shfuqizohet një akt që, sipas tyre, nuk ka qenë kurrë në fuqi?”, kjo ishte pyetje që Arbër Ademi nga BDI ua parashtroi VLEN-it, pasi zëvendëskryetari i Komunës së Tetovë, Albi Qamili tha se vendimi i vitit 2027 për emërtimine rrugëve në Tetovë nuk ka hyrë kurrë në fuqi. Ademi tha se vendimi i djeshëm i Gjykatës ishte me majorizim, që siç tha pesë gjyqtarë maqedonas mbivotuan dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjyqtar turk.
Tutje, ai u shpreh se po pret të publikohet vendimi për siç tha, “të kuptojmë se si mund të shfuqizohet diçka që, sipas VLEN-it, nuk ka qenë kurrë në fuqi”
“Vendimi i djeshëm i Gjykatës politike të Maqedonisë së Veriut u mor me majorizim, 5 me 3. Pesë gjyqtarë maqedonas mbivotuan dy gjyqtarët shqiptarë dhe një gjyqtar turk.
Kur i dëgjoj këta të VLEN-it duke u arsyetuar se vendimi i Komunës nga viti 2007 nuk paska qenë asnjëherë në fuqi, me të vërtetë habitem. Si mund të shfuqizohet një akt që, sipas tyre, nuk ka qenë kurrë në fuqi? Si? Pse do të duhej Gjykata Kushtetuese të zhvillonte procedurë për diçka që nuk ekziston?
Mos kështu. Mos na e fyeni inteligjencën kolektive me arsyetime të tilla absurde.
P.S. Mezi po pres të publikohet vendimi. Ndoshta atëherë do të kuptojmë se si mund të shfuqizohet diçka që, sipas VLEN-it, nuk ka qenë kurrë në fuqi. Poashtu do ta shohim edhe rolin e tyre”, tha Ademi.

