Pasi studentë dhe akademikë shqiptarë denoncuan vështirësitë në arsimimin në gjuhën amtare në Maqedoninë e Veriut, Parlamenti Evropian miratoi një amendament që i bën thirrje institucioneve të BE-së të zgjidhin problemet e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet e jurisprudencës. Në të mes tjerash shkruhet se…
“Ligji është plotësisht në përputhje me mendimin e Komisionit të Venedikut dhe standardet e BE-së; u kërkon autoriteteve të Maqedonisë së Veriut që ta zgjidhin shpejt çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore për të siguruar zbatimin praktik të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit si në ligj ashtu edhe në frymë, dhe të mos i portretizojnë protestat studentore në mënyrë të pandershme si të motivuara politikisht ose si një faktor destabilizues”
Për këtë, njëri nga studentët nismëtarë, Mevlan Ademi, i falënderoi eurodeputetët dhe u rikujtoi autoriteteve në Maqedoni se Parlamenti Evropian po bën thirrje që sa më shpejt ta zgjidhin çështjen e përdorimit të gjuhës shqipe në provimet shtetërore
“Gjithashtu, kërkohet që protestat studentore të mos paraqiten në mënyrë të padrejtë si të motivuara politikisht apo si faktor destabilizues. Ky është një mesazh i qartë në mbrojtje të të drejtave gjuhësore dhe të respektimit të Marrëveshjes së Ohrit”, tha Mevlan Ademi
Amendamentin e Parlamentit Evropian e përmendi edhe deputetja Rina Ajdari në pyetjet e sotme të deputetëve opozitarë, duke iu drejtuar zëvendëskryeministrit Bekim Sali, i cili në fakt nuk ishte i pranishëm në seancë.
“Nga ajo që shohim rezulton se ka mospërputhje të dukshme mes porosive që vijnë nga Brukseli dhe zhvillimeve të brendshme dhe të punës në institucionet e vendit. A do t’i merrni parasysh si zëvendëskryeministër me pozitën më të lartë shqiptar në Qeveri porositë e këtij raporti që kërkon garantimin e sundimit të ligjit, respektimin e të drejtave të komunitetit dhe funksionimin e një demokracie gjithëpërfshirëse dhe çfarë veprimesh konkrete do të merrni që të njëjtat t’i implementoni në praktikë?”, tha Ajdari
Kujtojmë se përfaqësues të Qeverisë kanë paralajmëruar një zgjidhje të re për tejkalimin e problemit. Zëvendëskryeministri i parë Sali bëri të ditur një draft-zgjidhje sipas së cilës pjesa teorike e provimit do të mund të jepet në shqip me kërkesë të kandidatit, ndërsa pjesa praktike do të vazhdojë të zhvillohet në maqedonisht. Kryeministri Mickoski ka deklaruar se po shqyrtohen propozimet e grupit punues dhe se së shpejti pritet një zgjidhje ligjore. Ministria e Drejtësisë ka mbajtur qëndrimin se ligji aktual nuk e mundëson zhvillimin e provimit në shqip, duke e bërë këtë çështje objekt të përplasjeve politike dhe institucionale.

