Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Arbër Ademi, ka akuzuar Qeverinë VMRO–VLEN se po shpërblen persona që, sipas tij, kanë vepruar kundër simboleve kombëtare shqiptare, duke e cilësuar këtë si një mesazh të rrezikshëm politik.
Në një reagim publik, Ademi pretendon se polici që vite më parë hoqi në mënyrë demonstrative flamurin shqiptar në Kumanovë është avancuar në detyrë, ndërsa shton se edhe dy djemtë e tij janë punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
Sipas tij, njëri prej tyre është rikthyer nga Gjermania vetëm për t’u punësuar në MPB, gjë që, sipas Ademit, dëshmon se punësimet dhe avancimet nuk bazohen në meritë, por në përkatësi politike dhe në shpërblimin e veprimeve që kanë cenuar ndjenjat e shqiptarëve.
“Kjo është fytyra e vërtetë e kësaj qeverie dhe mesazhi që ajo zgjedh të dërgojë”, ka deklaruar Ademi, duke akuzuar koalicionin qeveritar VMRO–VLEN për politika diskriminuese ndaj shqiptarëve.
Ai vlerëson se raste të tilla përforcojnë bindjen se institucionet shtetërore po përdoren për interesa politike dhe jo për garantimin e barazisë dhe profesionalizmit në administratën publike. (koha.mk)



