Alarm në Gostivar: Ekspertët paralajmërojnë rrezik për hepatitin A pas ndotjes së ujit

Komisioni për Sëmundje Infektive ka ngritur alarmin për mundësinë e shfaqjes së rasteve me hepatit A në Gostivar, pas epidemisë së infeksioneve intestinale të shkaktuara nga ndotja e ujit në ujësjellësin e qytetit.

Sipas Komisionit, situata epidemiologjike po monitorohet nga afër, ndërsa po ndiqet edhe gjendja shëndetësore e pacientëve që ditët e fundit kanë kërkuar ndihmë mjekësore për shkak të problemeve gastrointestinale.

Infektologia dhe anëtarja e Komisionit për Sëmundje Infektive, dr. Zhaklina Shopova, tha se ekziston mundësia që përveç infeksioneve intestinale të paraqiten edhe raste me hepatit A dhe hepatit E, për çka Ministria e Shëndetësisë dhe institucionet përkatëse janë njoftuar me kohë.

Ajo shpjegoi se në raste të tilla, kur uji i pijshëm përzihet me ujë të kontaminuar, mund të jenë të pranishme viruse dhe baktere të ndryshme, duke e bërë të vështirë përcaktimin e shkaktarit të saktë për çdo pacient.

Dr. Shopova theksoi se analizat laboratorike janë kryer sipas standardeve më të avancuara, ndërsa rezultatet e deritanishme të koprokulturave kanë dalë negative te të gjithë pacientët.

Sipas saj, në epidemi të shkaktuara nga uji është e zakonshme që të mos mund të përcaktohet me saktësi shkaktari kryesor i sëmundjes, pasi mund të ketë një kombinim të baktereve dhe viruseve që ndikojnë në përhapjen e infeksionit.

Komisioni apelon që situata të merret seriozisht dhe qytetarët të respektojnë rekomandimet e autoriteteve shëndetësore deri në normalizimin e plotë të gjendjes.

Miliona dollarë për lobim në SHBA: Zbulohen kontratat e Qeverisë serbe dhe kompanive të afërta me pushtetin

By admin