Qeveria e Serbisë dhe disa kompani private serbe po shpenzojnë miliona dollarë për të lobuar në Shtetet e Bashkuara, me synimin për të forcuar marrëdhëniet politike, ekonomike dhe të biznesit me Uashingtonin.
Sipas të dhënave të Departamentit amerikan të Drejtësisë, të analizuara nga Radio Evropa e Lirë (REL), aktualisht janë aktive gjashtë kontrata lobimi: tre të lidhura nga Qeveria e Serbisë, një nga Dhoma e Tregtisë së Serbisë dhe dy nga kompani private që në të kaluarën kanë përfituar kontrata të mëdha shtetërore.
Dokumentet tregojnë se Qeveria serbe paguan dhjetëra mijëra dollarë çdo muaj firmave amerikane për promovimin e interesave të saj në Uashington, përmes komunikimit me mediat, takimeve me zyrtarë amerikanë dhe këshillimit strategjik.
Tri kompanitë amerikane të angazhuara nga Beogradi janë KARV Communications, Valcour LLC dhe CRB Global LLC. Ato janë kontraktuar për të përmirësuar marrëdhëniet SHBA–Serbi, për të promovuar Serbinë si organizatore të EXPO 2027, si dhe për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, energjetik dhe në fushën e mbrojtjes.transmeton faktiditor.info
Sipas REL, një pjesë e aktiviteteve kanë përfshirë edhe përpjekje për të promovuar në mediat amerikane qëndrimet e Serbisë lidhur me rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, si dhe komunikimin pas shpërthimit në kanalin Ibër-Lepenc në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, kompani private si Maneks dhe Millennium Team kanë investuar shuma edhe më të mëdha në lobim. Vetëm kompania Maneks paguan rreth 90 mijë dollarë në muaj për shërbime lobimi, ndërsa Millennium Team shpenzon rreth 200 mijë dollarë në muaj për përfaqësim pranë institucioneve amerikane.
Analistët vlerësojnë se përveç interesave të kompanive private, këto kontrata mund të shërbejnë edhe për avancimin e objektivave strategjikë të shtetit serb në SHBA, veçanërisht në fushat e investimeve, energjisë, industrisë së mbrojtjes dhe bashkëpunimit ekonomik.
Lobimi në SHBA është plotësisht i ligjshëm, por sipas Aktit për Regjistrimin e Agjentëve të Huaj (FARA), çdo kompani ose individ që përfaqëson interesa të huaja është i detyruar të regjistrojë kontratat dhe aktivitetet e tij pranë autoriteteve amerikane.



