Alarm në Llojan – Paralajmërim për krimbat e pishës, të rrezikshëm për njerëzit dhe kafshët (foto)

Banorët e fshatit Llojan të komunës së Likovës dhe zonave përreth janë paralajmëruar të tregojnë kujdes të shtuar pas raportimeve për shfaqjen e krimbave të pishës, të njohur si Thaumetopoea pityocampa, të cilët konsiderohen të rrezikshëm për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve.

Sipas njoftimit të publikuar për qytetarët, këto vemje janë të mbuluara me mijëra qime mikroskopike helmuese që mund të shkaktojnë reaksione të rënda alergjike, probleme me frymëmarrjen, si dhe dëmtime serioze te kafshët shtëpiake.

Reklame

“Qimet e tyre mund të përhapen në ajër nga era dhe të përfundojnë në lëkurë, sy apo rrugët e frymëmarrjes, edhe pa kontakt të drejtpërdrejtë”, thuhet në paralajmërim.

Banorëve u është bërë thirrje që të shmangin qëndrimin pranë pishave ku janë vërejtur këto insekte, të mos i prekin me duar dhe të kenë kujdes të veçantë ndaj fëmijëve dhe kafshëve shtëpiake.

Po ashtu, qytetarët këshillohen që në rast se vërejnë rrjeta në degët e pishave, t’i raportojnë ato tek shërbimet kompetente për kontrollin e dëmtuesve.

Ekspertët paralajmërojnë se kontakti me këto vemje mund të shkaktojë skuqje, ënjtje, djegie në lëkurë, ndërsa te kafshët, sidomos te qentë, mund të jetë edhe fatal./faktiditor.info

By admin1