NATO ngre avionët luftarakë pas hyrjes së një droni të paidentifikuar në hapësirën ajrore të Letonisë, pranë kufirit me Rusinë. Forcat e armatosura letoneze njoftuan se incidenti ndodhi gjatë natës, ndërsa paralajmëruan se shkelje të tjera të hapësirës ajrore nga dronë të huaj janë të mundshme për sa kohë vazhdon lufta e Rusisë në Ukrainë.
Droni u zbulua pranë kufirit në komunën e Ludzas, në lindje të Letonisë, dhe për një kohë të shkurtër hyri në territorin e vendit. Në orën 02:30 me orën lokale u shpall alarm për kërcënim ajror dhe banorët morën një njoftim paralajmërues të nivelit portokalli, që sinjalizon një rrezik të konfirmuar dhe kërkon reagim të menjëhershëm.
Alarmi u hoq në orën 02:55, kur në komunën fqinje të Balvit, në verilindje të vendit, u aktivizua një paralajmërim i nivelit të verdhë. Ky paralajmërim përfundoi rreth orës 03:30.
Pas zbulimit të dronit, avionët luftarakë të NATO-s, pjesë e misionit të patrullimit ajror në shtetet baltike, u ngritën në fluturim. Gjithashtu, ushtria letoneze aktivizoi një dron përgjues, i cili u kthye në bazën e nisjes pas përfundimit të misionit. Njësitë e mbrojtjes ajrore u vunë në gatishmëri për të reaguar menjëherë.
Forcat e armatosura të Letonisë nuk kanë bërë të ditur se nga vinte droni dhe as se kujt i përkiste. Megjithatë, njoftuan se kanë shtuar praninë e njësive të mbrojtjes ajrore përgjatë kufirit lindor të vendit. Incidente të ngjashme janë raportuar edhe në vende të tjera pranë zonës së luftës që prej nisjes së pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Sipas ushtrisë letoneze, gjatë këtij viti dy dronë janë rrëzuar mbi territorin e vendit. Njëri u godit në qershor nga avionët francezë, pjesë e misionit të NATO-s në Baltik, ndërsa tjetri u rrëzua në gusht mbi komunën e Balvit nga avionë luftarakë aleatë.


