Spanja në zgjedhje të parakohshme

Spanja voton të dielën në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat mund të sjellin një ndryshim të rëndësishëm në drejtimin politik të vendit.

Sondazhet parashikojnë fitoren e Partisë Popullore, të drejtuar nga Alberto Núñez Feijóo, e cila mund të formojë një koalicion qeverisës me partinë e ekstremit të djathtë, Vox.

Sipas projeksioneve, Partia Popullore kryeson me rreth 31% të mbështetjes, ndërsa Vox renditet e treta me afro 18 për qind.

Kryeministri aktual, Pedro Sanchez, dhe Partia Socialiste pritet të renditen në vendin e dytë, me rreth 30 për qind të votave.

Një koalicion mes konservatorëve dhe së djathtës ekstreme do të shënonte një zhvillim historik për Spanjën, pasi Vox mund të marrë për herë të parë një rol në qeverinë që prej fundit të diktaturës së Francisco Francos, në vitin 1975.

Gjatë fushatës, çështjet kryesore kanë qenë kriza e strehimit, emigracioni dhe akuzat për korrupsion.

Ndërsa Sanchez ka mbrojtur politikat sociale dhe përfshirjen e emigrantëve në ekonomi, opozita ka kërkuar kontrolle më të forta kufitare dhe lehtësim të tregut të banesave.

Megjithatë, përçarja mes partive të së majtës rrezikon të dobësojë mundësinë e formimit të një shumice alternative.

Pas zgjedhjeve, partitë do të negociojnë për krijimin e qeverisë së re, ndërsa nëse nuk arrihet një marrëveshje brenda afatit kushtetues, Spanja mund të përballet sërish me zgjedhje të parakohshme.