Një alarm për një objekt të dyshimtë pranë Ambasadës së SHBA-së në Tiranë mobilizoi paraditen e sotme forcat e Policisë së Shtetit në zonën e Rrugës së Elbasanit.
Pas sinjalizimit për praninë e një lënde të dyshuar shpërthyese, në vendngjarje mbërritën menjëherë efektivë të shumtë policie, të cilët rrethuan perimetrin dhe bllokuan përkohësisht qarkullimin e automjeteve në segmentin ku ishte raportuar objekti i dyshimtë.
Megjithatë, pas verifikimeve të kryera nga autoritetet, rezultoi se alarmi ishte i rremë. Objekti që kishte ngritur dyshime ishte një kovë plastike e mbushur me fasule, e lënë në mes të rrugës, e cila nuk përbënte asnjë rrezik për sigurinë publike.
Pas konstatimit se nuk bëhej fjalë për lëndë shpërthyese apo ndonjë kërcënim tjetër, policia normalizoi situatën dhe riktheu qarkullimin në zonë.
Ngjarja shkaktoi shqetësim të përkohshëm për shkak të afërsisë me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa autoritetet vijojnë të jenë në gatishmëri për çdo sinjalizim që lidhet me sigurinë publike.


