Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu paralajmëroi se përmes rregullimit të listës së pritjes së pacientëve për ndërhyrje kirurgjike do të ndalohet praktika e mitos për këtë çështje.
Megjithatë, qytetarët thonë se realiteti në terren vazhdon të jetë ndryshe. Sipas tyre, pa ryshfet dhe pa ndërhyrje nga njohjet, procedurat shpesh vonohen, duke i detyruar pacientët të presin me muaj të tërë për ndërhyrje.
“Nëse nuk ke miq, nuk ke asgjë. Çfarë të ju them….shkurtë e qartë nëse ke para ke menjëherë operacion, nëse nuk ke para nuk të përfillin”, u shpreh një qytetarë.
“Po pritet, mundet një muaj, dy ose më shumë …. kam pasur operacion për hernia, kam miq dhe më kanë përfunduar punë menjëherë”, tha një tjetër qytetarë.
“Përafërsisht për gruan time kam pritur gjashtë muaj”, theksoi një qytetarë.
“Me aq sa di është shumë vështirë, pasi nuk kanë personel, por shëndetësinë e kemi katastrofë. Ishim fantastik, tani jemi zero”, tha një qytetare.
“Më mirë mos më pyesni, pasi që gjithçka është kaos. Nëse ju them se për dopler të arterieve karotide kam pritur nga tetori deri në muajin mars, dhe në fund përsëri nuk kam kryer punë”, deklaroi një qytetarë.
“Nuk e di saktësisht, por e di se pritet shumë”, u shpreh një qytetarë.
Problemi me listën e pritjes për terminë ende nuk është tejkaluar. Drejtoresha e Klinikës së specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative, thekson se situata më shqetësuese mbetet për pacientët me demencë.
“Problemi në repartin e Geriatirsë, veçanërisht problemi me pacientët e kategorisë me demencë nuk është tejkaluar. Problemi qëndron ende, pasi që kapacitetet janë të njëjta nuk janë zmadhuar…në ndërkohë e dini se ka pasur skandale në sektorin privat, dhe ne jemi gjendur në një presion më të lartë për akomodimin e pacientëve. Zgjidhje të menjëhershme për këtë problem nuk është e mundur”, theksoi drejtoresha e Klinikës së Geriatrisë, Lençe Nelloska.
Edhe pse shpesh janë bërë premtime për tejkalimin e listave të pritjes, si për operacione ashtu edhe për terminë, ende nuk ka rezultatet konkret në praktikë.

