Deputeti i Frontit Europian Blerim Bexheti njoftoi fillimin e procedurës për sigurimin e nënshkrimeve të nevojshme parlamentare për inicimin ndryshimeve kushtetuese. Ai kërkon nga të gjithë deputetët të mbështetet kjo iniciativë, pasi siç shton vendi jonë ka humbur 2 vite të plota në procesin eurointegrues. Bexheti pret që propozimi për ndryshimin e kushtetutës mund të paraqitet edhe nga së paku 30 deputetë.
“Prandaj duke filluar nga sot u bëjmë thirrje të gjithë deputetëve në Kuvendin të RMV-së. Si shumicës parlamentare ashtu edhe të opozitës, përfshirë deputet e Aleancës për Shqiptarët të zotit Taravari dhe zotit Sela, PDSH-së, deputetët e pavarur si dhe përfaqësuesve të gjitha partive politike që e shohin të ardhmen e vendit në Bashkimin Europian. Sidomos deputetët e VLEN-it që të japin mbështetjen e tyre duke nënshkruar këtë iniciativë”, theksoi Blerim Bexheti – deputet i Frontit Europian.
Nga VLEN e kanë cilësuar si joserioze iniciativën e ketillë, duke e konsideruar atë më shumë parodi sesa propozim institucional që meriton trajtim serioz. Njëri nga liderët e VLEN-it, Bilall Kasami, tha se kjo ide shërben për të mbajtur aktivistët e partisë brenda saj.
“BDI pati 20 vite për të promovuar ndryshimet kushtetuese dhe për të avancuar të drejtat kolektive të shqiptarëve. Sot kur BDI është para shpartallimit të saj përfundimtar, sepse veçmë po e shohim dita ditës që anëtarët e koalicionit të AKI-së po largohen nga ky subjekt politik, për të mbajtur edhe më tutje shpresën e anëtarëve të BDI-së, ajo po del me ide të mëdha”, u shpreh Bilall Kasami – lideri i VLEN-it.
Ndryshe, edhe VLEN edhe BDI janë pro ndryshimeve kushtetuese, por pa votat e VMRO DPMNE-së nuk arrihen dy të tretat.

