Arrestohet Gerald Biba për dhunë ndaj protestuesit në Zvërnec

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka njoftuar arrestimin e një punonjësi të një shoqërie private të sigurisë, i cili shfaqet në pamjet filmike duke goditur një qytetar gjatë një tubimi në Zvërnec, një ditë më parë.

Sipas Policisë së Shtetit, në vijim të hetimeve është identifikuar dhe shoqëruar shtetasi Gerald Biba, 32 vjeç, banues në Durrës, punonjës i sigurisë së kantierit. Pas veprimeve të para hetimore, ai është arrestuar në flagrancë, nën dyshimin për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Reklame

Nga hetimet paraprake rezulton se i dyshuari ka goditur me grusht shtetasin E. S., ndërsa më pas, së bashku me shtetasit A. G. dhe G. V., të proceduar penalisht, e kanë tërhequr me forcë drejt një zone të rezervuar për rojet e sigurisë, duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore.

Policia bën të ditur se, paralelisht me hetimet, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale për nisjen e menjëhershme të hetimit disiplinor ndaj të gjithë zinxhirit komandues të DVP Vlorë, lidhur me menaxhimin e tubimit dhe masat e ndërmarra gjatë tij.

By admin1