Ateron një aeroplan me njerëz të Vuçiqit në Mal të Zi: Zbulohet misioni i tyre

Policia malazeze ua ka ndaluar hyrjen në vend një grupi prej së paku 90 personash nga Serbia, të cilët të mërkurën mbërritën në Tivat me një fluturim çarter nga Beogradi, për shkak të, siç shkruajnë mediat malazeze, dyshimeve për veprimtari subversive në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet të enjten dhe të premten në bregdetin malazez, transmeton Paparaci.

Sipas gazetës malaziase “Vijesti”, mes pasagjerëve në aeroplan kishte edhe persona të regjistruar si “persona me interes për sigurinë”, dhe të gjithë do të dëbohen me fluturimin e parë nga Tivati për në Beograd.

Reklame

Kjo gazetë gjithashtu shkruan se pasagjerët nuk kanë dashur t’u përgjigjen pyetjeve të policisë lidhur me arsyen e ardhjes së tyre në Mal të Zi.

Sipas të dhënave me të cilat disponon Drejtoria e Policisë, personat që ndodheshin në atë fluturim, shumica prej të cilëve kanë dosje kriminale, kishin për detyrë të siguronin në mënyrë joformale qëndrimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë samitit BE–Ballkani Perëndimor në Tivat.

Në njoftimin e policisë malazeze thuhet se ajo po zhvillon aktivitete të gjera, të vazhdueshme dhe të intensifikuara me rastin e mbajtjes së samitit BE–Ballkani Perëndimor dhe se, në këtë kuadër, në pikën kufitare të Aeroportit të Tivatit po kryhen kontrolle të shtuara.

Për këtë arsye, është vënë nën kontroll një fluturim çarter në linjën Beograd–Tivat, me të cilin rreth 90 shtetas të Serbisë mbërritën në Mal të Zi të mërkurën.

“Kontrollet ndaj këtyre personave dhe verifikimi i arsyeve të ardhjes dhe qëndrimit të tyre janë në vazhdim e sipër. Në përputhje me ligjin do të ndërmerren masa dhe veprime gjithëpërfshirëse, si edhe masa kufizuese, nëse ekzistojnë baza ligjore për këtë”, thuhet në deklaratën e policisë, përcjell Paparaci.

“Aeroplani është mbajtur në pistën e Aeroportit të Tivatit për të kryer kontrolle të hollësishme ndaj personave që kanë mbërritur, përkatësisht për të verifikuar arsyet e vizitës së tyre, duke pasur parasysh masat e shtuara të sigurisë në prag të samitit BE–Ballkani Perëndimor. Publiku do të informohet me kohë për aktivitetet e mëtejshme të ndërmarra”, shtohet në deklaratën e Drejtorisë së Policisë së Malit të Zi.

Mediat malazeze kishin raportuar më herët se më shumë se 1.500 zyrtarë policorë nga të gjitha njësitë organizative të Drejtorisë së Policisë, përfshirë edhe njësitë taktike, do të angazhohen për sigurimin e samitit BE–Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet më 4 dhe 5 qershor në Tivat.

Samiti do të mbledhë pjesëmarrës në nivelin më të lartë politik. Ndër pjesëmarrësit janë presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari gjerman Friedrich Merz, kryeministri i Spanjës, Pedro Sanchez, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, si dhe shumë liderë të tjerë evropianë dhe rajonalë.

By admin1