Avokati i Hashim Thaçit, Luka Mishetiq, ka reaguar ndaj deklaratës së komisioneres evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cila pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës deklaroi se Dhomat e Specializuara janë “organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur”.
Kos, më 16 shtator, tha se vendimet e Dhomave të Specializuara duhet të respektohen dhe se personat e dënuar kanë të drejtë të apelojnë. Ajo theksoi se bëhet fjalë për “përgjegjësi individuale dhe drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ndërsa bëri thirrje për pajtim në rajon.
Në reagimin e tij, Mishetiq ka kundërshtuar mënyrën se si Kos e ka cilësuar Specialen, duke thënë se paanshmëria e saj në rastin e Thaçit ende nuk është përcaktuar.
“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e zotit Thaçi, kjo ende duhet të përcaktohet. Nuk është për Marta Kos që ta paragjykojë këtë çështje”, ka shkruar Mishetiq.
Avokati i Thaçit i është referuar edhe një raporti të Bar Human Rights Committee of England and Wales (BHRC) për Dhomat e Specializuara, duke thënë se ky organizëm ka ngritur pikëpyetje lidhur me paanshmërinë e gjyqtarëve në këtë rast.
Raporti i BHRC-së, i publikuar në vitin 2020, shqyrton ndër të tjera pavarësinë dhe paanshmërinë e Dhomave të Specializuara, të drejtën për gjykim të drejtë, barazinë e armëve dhe çështje që lidhen me provat dhe procedurat gjyqësore.
Në pjesën për pavarësinë dhe paanshmërinë, raporti thekson se ekziston një kornizë ligjore për garantimin e tyre, por njëkohësisht ngre shqetësime për llogaridhënien dhe legjitimitetin e institucionit. Raporti diskuton edhe përbërjen ndërkombëtare të trupave gjykues dhe marrëdhëniet institucionale me shtetet që financojnë Dhomat e Specializuara.
BHRC ka shqyrtuar gjithashtu mënyrën e zhvillimit të seancave dhe sjelljen e gjyqtarëve gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve. Raporti përmend raste ku pyetjet e gjyqtarëve kanë ngritur shqetësime lidhur me perceptimin e paanshmërisë, megjithëse thekson se këto elemente, të marra veçmas, nuk mjaftojnë për të konstatuar shkelje të së drejtës për një gjykim të drejtë.
Ndryshe, komisionerja për Zgjerim, Kos, në ditën kur u shpall aktgjykimi, shkroi se Specialja është e paanshme dhe e pavarur, ndërsa vendimi duhet të respektohet.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një organ gjyqësor i paanshëm dhe i pavarur. Gjykimi i saj duhet të respektohet dhe të dënuarit kanë të drejtë ankese. Bëhet fjalë për përgjegjësinë individuale dhe drejtësinë për viktimat dhe familjet e tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë.
U bëj thirrje aktorëve në rajon që të ndihmojnë në shërimin e plagëve të së kaluarës. Vetëm përmes pajtimit, vendet e rajonit mund t’i kapërcejnë ndasitë dhe të ecin përpara drejt një të ardhmeje të përbashkët në BE”, kishte shkruar Kos.
Reagimi i Mishetiq vjen një ditë pas shpalljes së aktgjykimit ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Vendimi i shkallës së parë ndaj tyre mund të apelohet.



