BDI: Deklarata e Vuçiqit është një tjetër përpjekje për të defokusuar dhe manipuluar opinionin publik

Deklarata e Vuçiqit është një tjetër përpjekje për të defokusuar dhe manipuluar opinionin publik.

Për ne është shqetësuese që ndikimi i Beogradit dhe i botës serbe në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot është më i madh se asnjëherë më parë. Kjo nuk është vetëm perceptim politik, por një çështje që është evidentuar edhe në raporte dhe vlerësime të institucioneve relevante ndërkombëtare.

Deklarata e Vuçiqit është në vazhdën e krijimit të një tymnaje politike dhe zhvendosjes së vëmendjes nga thelbi i çështjeve. Ky tentim për manipulim dhe defokusim të opinionit publik është i ngjashëm edhe me përpjekjet e partive politike maqedonase gjatë ditës së djeshme për të barazuar Tribunalin Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, të themeluar nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së në vitin 1993, me Dhomat e Specializuara të Kosovës. Bëhet fjalë për dy institucione krejtësisht të ndryshme për nga statusi juridik dhe institucional: Tribunali për ish-Jugosllavinë ishte tribunal ndërkombëtar i krijuar me rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ndërsa Dhomat e Specializuara të Kosovës janë institucion gjyqësor i themeluar në kuadër të sistemit juridik të Kosovës, me bazë në Kushtetutën dhe legjislacionin e saj.

BDI nuk do të lejojë që narrativat e importuara nga Beogradi të përcaktojnë debatin politik në Maqedoninë e Veriut apo të cenojnë marrëdhëniet ndëretnike,stabilitetin dhe orientimin evropian të vendit.