Dimal Basha, ministër në detyrë i Infrastrukturës, ka dalë me një reagim për aksidentin fatal në autostradën “Ibrahim Rugova”, ku me 14 qershor kishte humbur jetën një grua. Basha thotë se raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon “që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore”.
Tutje, Basha thotë se “për dallim nga raportimet e pavërteta dhe akuzat e nxituara të disa politikanëve e mediave, Raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit. Këto janë gjetje zyrtare të organeve kompetente”.
Postimi i plotë i tij:
Aksidenti tragjik i 14 qershorit në Autoudhën “Dr. Ibrahim Rugova”, ku humbi jetën një qytetare, na preku thellë të gjithëve. Edhe një herë, shpreh ngushëllimet më të thella për familjen dhe të afërmit e saj.
Fatkeqësisht, para përfundimit të hetimeve zyrtare, qarqe të caktuara me tendenca për të përfituar nga secili rast për të lëshuar akuza ndaj Qeverisë, u sulën për ta paraqitur këtë tragjedi si pasojë të rrëshqitjeve të dheut e si rezultat i mosveprimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit.
Sot, Raporti zyrtar i Policisë së Kosovës tregon që në bazë të hetimeve profesionale, drejtuesi i automjetit e ka humbur kontrollin mbi veturën, duke goditur fillimisht sinjalizimin rrugor dhe më pas elementet mbrojtëse anësore.
Për dallim nga raportimet e pavërteta dhe akuzat e nxituara të disa politikanëve e mediave, Raporti konstaton se të dy shiritat e qarkullimit kanë qenë të lirë për lëvizje dhe se gjendja e rrugës nuk ka ndikuar në shkaktimin e aksidentit. Këto janë gjetje zyrtare të organeve kompetente.
Kjo nuk e zvogëlon dhimbjen për jetën e humbur, por është me rëndësi që të dihet dhe të raportohet e vërteta. Faktet zyrtare tashmë i kanë rrëzuar pretendimet false dhe akuzat e atyre që u përpoqën të përfitonin politikisht nga ajo fatkeqësi njerëzore.
Le të jetë ky mësim për të gjithë se tragjeditë e tilla nuk duhet të përdoren për propagandë politike dhe as për përfitime mediatike.
Ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes të së ndjerës dhe qoftë i përhershëm kujtimi i saj.

