Përfundimi i rastit për tentim-pengim të drejtësisë në Dhomat e Specializuara të Kosovës është shtyrë edhe një herë. Procesi nuk u mbyll më 19 qershor me dorëzimin e dosjeve përfundimtare, siç kishte preferuar fillimisht gjyqtari i vetëm, Christopher Gosnell.
Afati u zgjat pas një kërkese të veçantë nga Fadil Fazliu, pasi disa anëtarë të ekipit të tij mbrojtës janë përballur me probleme shëndetësore. Megjithatë, dorëzimi i fjalëve përfundimtare mbetet i lidhur edhe me vendimin që pritet nga Apeli lidhur me dëshmitarin kryesor të Prokurorisë, Koen Herlaar.
Më herët, gjykata kishte rrëzuar në tërësi dëshminë e ekspertit të Institutit Holandez për Kriminalistikë, i cili kishte pretenduar se dokumentet e gjetura në shtëpinë e Isni Kilajt dhe në automjetin e Bashkim Smakajt ishin printuar nga Hashim Thaçi. Zyra e Prokurorit të Specializuar e ka apeluar këtë vendim, ndërsa ende nuk është marrë një vendim përfundimtar.
Sipas gjyqtarit Gosnell, palët duhet të jenë të gatshme të dorëzojnë fjalët përfundimtare menjëherë pas vendimit të Apelit.
“Palët duhet të jenë të gatshme t’i dorëzojnë fjalët përfundimtare pas një njoftimi të shpejtë, për shkak të pritjes së vendimit të Apelit. Dosjet duhet të dorëzohen jo më vonë se tri ditë pune pas njoftimit për vendimin”, ka deklaruar Gosnell.
Me këtë vendim, edhe seanca për paraqitjen e fjalëve përmbyllëse është shtyrë për pas pushimit veror, duke filluar nga 17 gushti 2026.
Vendimi përfundimtar në këtë rast, me dinamikën aktuale, mund të merret deri në fund të vitit. Ai do të mbështetet edhe në një sërë faktesh që tashmë nuk kundërshtohen nga ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, si dhe nga Prokuroria.
Ndërkohë, të martën u publikua paketa e dhjetë e fakteve të pakontestueshme. Në të përfshihen deklarime që lidhen me dëshmitarë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, përfshirë Sokol Bashotën, Ismet Tarën, Demush Krasniqin dhe dëshmitarë të tjerë të mbrojtur, të cilët kanë deklaruar se gjatë gjithë procesit gjyqësor nuk janë kontaktuar dhe as kërcënuar nga askush për të ndikuar në dëshmitë e tyre.

