Batatina: Llapi tashmë ka organizim evropian, duhet ta dëshmojmë në fushë

Trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është shprehur tejet i kënaqur me përgatitjet e skuadrës për sezonin e ri, përforcimet e afruara dhe kushtet që klubi ka krijuar para nisjes së kampionatit.

Batatina vlerëson se organizimi i KF Llapit tashmë ka marrë dimensione evropiane, ndërsa objektivi i radhës është që këto standarde të reflektohen edhe në rezultatet në fushën e gjelbër, shkruan Indeksonline

“Shumë i kënaqur me përgatitjet për kampionatin e ri, me përforcimet, fazën përgatitore dhe mbi të gjitha me organizimin e KF Llapit, i cili tashmë ka marrë dimensione evropiane”, ka shkruar Batatina.

Ai theksoi se skuadra është e motivuar dhe se lojtarët kanë kushte optimale për të nisur sezonin me objektiva të qarta.

“Kur nis një kampionat dhe si trajner nuk të mungon asgjë për ta filluar sezonin e ri, me objektiva të qarta dhe kushte optimale për punë, atëherë ndihesh krenar. Lojtarët tanë ndihen komod dhe të motivuar”, u shpreh ai.

Trajneri i Llapit zbuloi gjithashtu se disa prej përforcimeve të reja janë impresionuar nga mënyra se si është organizuar klubi.

“Disa nga transferimet e reja ende nuk po e besojnë se janë pjesë e Llapit, duke parë një organizim që u ngjan skuadrave evropiane. Këtë më së miri e dëshmojnë edhe futbollistët që kanë ardhur nga skuadra evropiane”, shtoi Batatina.

Ai falënderoi presidentin, nënpresidentin, kryesinë dhe sponsorët e klubit për mbështetjen, duke theksuar se Llapi tashmë ka një projekt të qartë pesëvjeçar.

“E di saktë kur duhet të nisemi. E di se rrugës do të ketë pengesa, por e di edhe objektivin dhe jam i bindur se qëllimi do të arrihet”, deklaroi trajneri.

Sipas Batatinës, synimi i madh është që Llapi në të ardhmen e afërt të jetë në nivel të skuadrave evropiane edhe sa i përket paraqitjeve sportive.

“Organizimin tashmë e kemi arritur – tani na mbetet ta dëshmojmë edhe në fushë”, tha ai.

Në fund, Batatina u ka bërë thirrje tifozëve të Llapit, të njohur si “Legjendat”, që të jenë të pranishëm në ndeshjen e parë të sezonit.

“Legjendat nuk kanë asnjë arsye të mungojnë në ndeshjen e parë! Do ta shohin një Llapi atraktiv, të guximshëm dhe me mentalitet fitues, që do të luftojë për ta realizuar qëllimin e klubit”, përfundoi Batatina.

By admin12