CNN: Shtëpia e Bardhë nuk pranon propozimin iranian

Tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mbeten të larta.

Sipas CNN, shefi i Shtëpisë së Bardhë, Donald Trump sinjalizoi se nuk kishte gjasa të pranonte propozimin e fundit të Iranit për t’i dhënë fund konfliktit. Propozimi i Teheranit ishte rihapja e Ngushticës së Hormuzit, por la në pikëpyetje programin bërthamor për negociata të mëvonshme.

Gjatë një takimi me zyrtarët e lartë të sigurisë kombëtare ku u diskutua për Iranin, burimet thonë se Trump ishte skeptik për rifillimin e bombardimeve në Iran, pavarësisht bindjes se Irani nuk duhet të ketë kurrë armë bërthamore.

Ndërkohë, në një intervistë për Fox News, Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ka indicie që Irani po përdor këtë rrugë strategjiike si mjet presioni.

“Ka indikacione që kjo është e vërtetë. Ata vetë pretendojnë se po e bëjnë. Ne nuk kemi prova që nuk është kështu”, tha Marco Rubio.

Rubio përdori një gjuhë të fortë për të përshkruar ndikimin e mundshëm të veprimeve të Iranit në ekonominë globale, duke e krahasuar situatën me një kërcenim të përmasave të mëdha.

“Ngushtica është në thelb ekuivalenti i një arme bërthamore ekonomike që ata po përpiqen ta përdorin kundër botës. Po mburren se mund të mbajnë peng 20 deri në 25 për qind të energjisë botërore. Imagjinoni nëse këta njerëz do të kishin armë bërthamore do të mbanin peng gjithë rajonin”, shtoi Rubio.

Ndërkohë, përballë mundësisë së dështimit të negociatave, kryediplomati amerikan theksoi se vendimi për hapat e ardhshëm i takon presidentit Donald Trump, duke nënvizuar se presioni ndaj Teheranit mund të rritet më tej.

“Niveli i sanksioneve ndaj Iranit është i jashtëzakonshëm. Presioni ndaj Iranit është i jashtëzakonshëm dhe mendoj se mund të rritet edhe më tej”, përfundoi Rubio.

Zhvillimet vijnë në një moment delikat për rajonin, ku përpjekjet për një marrëveshje mbeten të pasigurta.

By admin5