Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka paralajmëruar protestë gjithëpopullore sot në orën 12:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.
Qëllimi i kësaj proteste do të jetë kundërshtimi i dënimeve të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë gjithëpopullore sot në orën 12:00, në sheshin “Skënderbeu”, pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Gazmend Syla nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka deklaruar se zhvillimet e fundit kanë tentuar ta vendosin në një balancë luftën e UÇK-së me atë që ka ndodhur gjatë viteve 1998-1999.
“Dje dhe sot u ul lufta jonë për çlirim dhe u provua të bëhet një balancë mes asaj që ka ndodhur në luftën tonë në vitet ’98-’99. UÇK-ja nuk është kurrë ndërmarrje kriminale, kjo ishte rezistenca në kuptimin tonë përballë dëbimit, masakrave dhe e vetmja përgjigje e një kombi që ishte dënuar me zhdukje. Asnjë vendim nuk mund ta njollosë luftën tonë çlirimtare apo të barazojë ata që luftuan për liri. Që nga fillimi e kemi quajtur këtë gjykatë politike dhe procesin të pa-drejtë, gjë që sipas nesh u dëshmua edhe dje”, është shprehur Syla.



