Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të mbajë seancën e 98-të, në rendin e ditës të së cilës janë përfshirë disa pika të rëndësishme, mes tyre edhe një projekt-amendament i Ligjit për Qeverinë, i cili do të shqyrtohet me procedurë të shkurtuar.
Ky projektligj synon të krijojë kushte për eliminimin e arsyeve objektive që çuan në vendosjen e modelit të qeverisë kalimtare, të njohur si qeveri teknike. Sipas sqarimeve të dhëna nga Qeveria si propozues, zbatimi i tij i shtyrë në kohë ka për qëllim të sigurojë stabilitet institucional, siguri juridike dhe mbrojtje të interesit publik, duke mundësuar përmbylljen e plotë dhe të qëndrueshme të reformave të nisura.
Në memorandumin shpjegues theksohet se projektligji bazohet në nevojën për menaxhim të përgjegjshëm të financave publike, forcimin e stabilitetit institucional dhe garantimin e legjitimitetit të plotë demokratik të Qeverisë si organ ekzekutiv i zgjedhur nga Parlamenti. Po ashtu, synohet vendosja e një kornize të qartë ligjore që garanton zgjedhje të drejta dhe transparente, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, duke hequr dorë nga zgjidhjet e përkohshme të bazuara në marrëveshje politike të së kaluarës.
Në rendin e ditës është paraparë edhe shqyrtimi i propozim-vendimit për dërgimin e pjesëtarëve të Ushtrisë së Maqedonisë së Veriut në operacionin ndërkombëtar të Bashkimit Evropian “ALTEA” në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Gjithashtu, deputetët do të shqyrtojnë planin strategjik dhe financiar të Komisionit Shtetëror për Ankesa në Prokurimin Publik për vitin 2026, si dhe programin vjetor të punës së këtij institucioni për të njëjtin vit.
Pjesë e rendit të ditës është edhe propozim-vendimi për shpalljen e një njoftimi publik për zgjedhjen e një anëtari të Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi.


