Koalicioni i organizatave joqeveritare Demokracia në Veprim (DnV) ka njoftuar se deri në orën 17:00, pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare ka arritur në rreth 29 për qind, duke shënuar një rënie të ndjeshme krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare.
Sipas Eugen Cakollit nga DnV, dalja në votime është rreth 10 për qind më e ulët sesa në zgjedhjet parlamentare të mbajtura gjatë vitit 2025.
“Dy orë para mbylljes së vendvotimeve, të dhënat nga terreni tregojnë se interesimi i qytetarëve për të votuar është i ulët, ndërsa procesi në përgjithësi po zhvillohet qetë”, deklaroi Cakolli.
Sipas të dhënave të publikuara nga DnV, komunat me shumicë serbe kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë në votime me 42 për qind, ndërsa rajoni i Prishtinës renditet i dyti me 33 për qind. Në anën tjetër, pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në rajonin e Gjakovës dhe Prizrenit, me 23 për qind respektivisht 24 për qind.
DnV ka raportuar gjithashtu për vështirësi në gjetjen e vendvotimeve nga qytetarët. Sipas organizatës, deri në orën 17:00, raste të tilla janë evidentuar në 65 për qind të vendvotimeve të monitoruara.
Sa i përket votimit me asistencë, DnV ka bërë të ditur se ky fenomen është vërejtur në më shumë se gjysmën e vendvotimeve, ndërsa shumica e rasteve kanë të bëjnë me asistimin e votueseve gra.
Organizata ka evidentuar edhe raste të votimit me dokumente identifikimi të skaduara, të cilat janë hasur në 25 për qind të vendvotimeve, si dhe 25 raste të fotografimit të votës në nivel vendi.
Megjithatë, sipas DnV-së, procesi zgjedhor në përgjithësi ka rrjedhur qetë dhe incidentet e raportuara, përfshirë tentimet për votim në emër të familjarëve, janë trajtuar në mënyrë profesionale nga Policia e Kosovës.
Në përfundim, Demokracia në Veprim u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë orët e mbetura deri në mbylljen e vendvotimeve për të ushtruar të drejtën e tyre demokratike të votës.

